Arbëri

Komandanti i brigadës që kreu krime lufte në Kosovë zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Serbisë

Bozhidar Deliq, ish-komandanti i Brigadës 549 të Motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë, brigadë që ishte përfshirë në vrasjet masive të civilëve në Kosovë, është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.

Të martën është zgjedhur kryesia e Kuvendit të Serbisë. Kryekuvendar është zgjedhur Vladimir Orliq, ndërsa Deliq është zgjedhur një prej shtatë nënkryetarëve.

Deliq ishte komandant i Brigadës 549 të Motorizuar në Ushtrinë e Jugosllavisë gjatë Luftës në Kosovë.

Në këtë brigadë kishin marrë pjesë edhe mercenarë rusë.

Deliq ishte paraqitur dëshmitarë i mbrojtjes në seancat në Tribunalin në Hagë në rastin e “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millozheviq dhe në rastin e Vladimir Lazareviqit.

Brigada 549 akuzohet për kryerje të krimeve të luftës në fshatra të Kosovës në mars dhe prill të vitit 1999.

Deliq mori 197 vota të martën për t’u zgjedhur nënkryetar.

Deliq në zgjedhjet në Serbi ishte bartës i listës “NADA”.

Reagimet në Kosovë

Ndaj emërimit të Deliqit nënkryetar të Kuvendit të Serbisë, reagime ka pasur nga pushteti në Kosovë. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se Serbisë “veç Millosheviqi po i mungon edhe po kompletohet udhëheqja kriminale serbe e viteve ’90-ta”.

Shefi i kabinetit të kryeparlamentarit Konjufca, Ilir Kërçeli, ka thënë se emërimi i Deliqit nënkryetar Kuvendi tregon për qasjen e Serbisë në dialog.

“Se a dëshiron Serbia marrëveshje me Kosovën, tregojnë veprimet e mesazhet e njëpasnjëshme që i dërgon anëtari i qeverisë se kasapit të Ballkanit Vuçiq. Zgjedhja e komandantit Delic i cili mori pjesë në sulmet në Kosovë të ushtrisë jugosllave si nënkryetar te parlamentit të Serbisë është veç mesazhi i radhës se politikat e Millosheviqit admirohen e fuqizohen edhe në shekullin 21”, ka shkruar ai në Facebook.

Deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, ka thënë se Serbia nuk po mundet assesi të distancohet nga e kaluara kriminale.

“Madje si duket e ka për mburrje të ngritë në pozita udhëheqëse njerëzit përgjegjës për krime lufte.Kështu ndodhi edhe me Bozhidar Deliq i cili u zgjedh nënkryetar i Kuvendit të Serbisë. Bozhidar Deliq ishte komandanti i Brigadës 549 të Motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë-Serbisë, brigadë e cila ishte përfshirë në vrasjet masive të civilëve në Kosovë”, ka shkruar ai.