Arbëri

Pacolli thotë se nuk e dëshiron mbylljen e mediave: Të adresohen vërejtjet e Parlamentit Evropian

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se fjalimi i saj në Kuvendin e Kosovës të enjten, s’ka pasur për qëllim që të kërcënojë me mbylljen e mediave.

Ajo ka thënë se nuk e dëshiron një gjë të tillë e se ka kërkuar vetëm që të adresohen vërejtjet e një rezolute të Parlamentit Evropian.

“Një gjë shqetësuese që është përmendur në rezolutën e fundit dhe që nuk është përmendur viteve të mëparshme është se viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik. Pra, këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrin masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave, me transparencën si dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, ka thënë të enjten deputetja Pacolli në fjalën e saj në Kuvend.

Deklarimi nxiti reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Këshillit të Mediave të Shkruara. Ato u shprehën të shqetësuar me fjalimin, ndërsa thanë se kjo është thirrje për kontroll ndaj mediave dhe është rrezik për lirinë e medias.

“S’ka demokraci pa mediat. Mediat janë shtylla kryesore e demokracisë në një shtet”, ka thënë ajo në emisionin “Java Sonte me Rronin” të premten.

“Fjalimi im ka qenë që këto janë vërejtjet. Ne duhet t’i adresojmë ato që të paraqitemi më mirë si shtet”, ka thënë tutje ajo. “Aty ka dalë një fjalë ‘masat’. Është me rëndësi të kuptohet cilat janë masat apo vegëzat që kemi si deputetë për të marrë ndonjë ndryshim. Te ne janë ligjet, nismat legjislative, rezolutat. S’kam pushtet të mbyll mediat. Unë kam mundësi të nis një nismë legjislative e të them që institucionet që i kanë detyrë rregullimin e mediave, të pavarura, të punojnë në përputhje me disa ligje”, ka thënë ajo.