Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, ka thënë se viti 2023 po përfundon me tentimin e Qeverisë për ta mbyllur një media dhe këtë e quajti si sulmin më të madh të pluralizmit të mediave në Kosovë.
Ajo tha se viti 2023 sa i përket fushës së gazetarisë mund të shpjegohet në tri perspektiva.
Sa i përket perspektivës së parë, Kusari tha se janë garancitë që vendi i gëzon qysh nga paslufta sa i përket lirisë së shprehjes dhe mediave. Lidhur me legjislacionin, ajo tha se nuk ka pasur asnjë iniciativë dëmtuese nga ana e Qeverisë apo Kuvendi, e cila do ta minonte lirinë e shprehjes.
“Kosova është vend ku nuk ka aktivistë ose gazetarë të burgosur, po them nuk duhet ta marrim si të mirëqenë sepse jemi në Evropë”, tha ajo të hënën në emisionin "Tempus".
Kusari theksoi se nuk ka vendime gjyqësore që janë në disfavor të gazetarëve dhe lirisë së shprehjes.
Edhe
Gazetaret më të rrezikuarat nga dhuna, kërkohen veprime për mbrojtjen e tyre
Sipas saj, Komisioni i Pavarur i Mediave është duke bërë një punë të mirë. Teksa ka shtuar se ka mungesë të politikave që do ta avanconin lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes.
“Nuk është ndërmarrë asnjë hap për ta përmirësuar sigurinë e gazetarëve. Ky ka qenë vit i rrezikshëm për gazetarët, sidomos për rrezikshmërinë fizike”, tha ajo.
Ajo tha se nuk është ndërmarrë asnjë hap as kundër padive SLAPP, që bëhen me qëllim për t’i frikësuar gazetarët.
Juristja e së drejtës së medias theksoi edhe mungesën e dialogut mes Qeverisë, Kuvendit, mediave e shoqërisë civile.
Kur foli për perspektivën e tretë, Kusari tha se ka pasur përpjekje serioze për ta tkurrur lirinë e shprehjes në Kosovë.
“Pra, po e përfundojmë vitin 2023 me tentimin e Qeverisë me mbyll një media. Kemi retorikën anti-media, anti-gazetarë, anti-aktivistë”, shtoi ajo.
Edhe
Foltorja e Kuvendit shfrytëzohet për baltosje të mediave
Në fund, ajo tha se ka tendencë edhe që të kapet Radio Televizioni i Kosovës.
Kusari: Financimi i mediave, problemi më i madh në Kosovë
Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, në emisionin “Tempus”, në KTV, tha se financimi i mediave, është problemi më i madh në Kosovë.
“Financimi është problemi kryesor në Kosovë. Sot mediat online nuk mund të përfitojnë si në vendet tjera sepse gjuha shqipe nuk njihet prej Googlet, është njëfarë çështje teknike që duhet me të zgjidhet. Kurrgjë nuk i kushton Qeverisë tonë të bie në kontakt me platformat e mëdha dhe është e mundur. Nuk ka asnjë vullnet tek çështja e financimeve”, tha Kusari.
Ajo shtoi se në momentin që nuk ka financa, mediat realizojnë video që sipas saj, sjellin para.
Edhe
Kusari: Qeveria synon ta minojë rolin e medias
“Kur s’ke financa, do të shkosh aty ku mund të bësh para dhe sot para bien videot. Mua më duket absolutisht e papranueshme që një pjesë e mediave shkojnë në gjykata dhe bëjnë shaka me seanca gjyqësore. Raportimi prej gjykatave është raportimi më serioz dhe më sensitiv në fushën e gazetarisë sepse kemi të bëjmë më prezumimin e pafajësisë”, tha Kusari.