Arbëri

Kusari: Qeveria synon ta minojë rolin e medias

Flutura Kusari

Foto: Alban Bujari

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka thënë se Qeveria Kurti nëpërmjet Projektligjit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) ka synuar ta minojë rolin e medias në Kosovë.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Kusari ka thënë se projektligji është shoqëruar me dy lloje problemesh: procedurale dhe përmbajtësore. Te problemet procedurale, Kusari ka thënë se Qeveria e ka nisur në mënyrë sekrete këtë ligj dhe se shoqëria civile ka qenë e përjashtuar nga hartimi i tij.

“Tendenca e Qeverisë, drejtuar nga VV-ja, ka qenë që nga fillimi që ta minojë rolin e medias, t’i bëjë kinse s’janë të rëndësishme në shoqëri e të mos ua njohë funksionin e shtyllës së katërt dhe që të sigurohet që ta ketë më të lehtë disiplinimin e presionin mbi mediat”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Qeveria Kurti i sheh gazetarët si “armiq të popullit”.

Ndër vërejtjet, Kusari ka thënë se është edhe përpjekja për licencim të mediave online. Ajo ka thënë se shteti duhet ta lejojë vetërregullimin e sektorit, si në rastin e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës të cilin e ka vlerësuar storie suksesi.

Sipas saj, ky draftligj është i pamundur të implementohet, po që se miratohet siç është hartuar. Ajo ka thënë se KPM-ja nuk ka as burime njerëzore për t’i përmbushur qëllimet që do t’i shtohen.

Ajo ka thënë se Qeveria duhet ta pyesë shoqërinë civile dhe mediat se cila është forma më e duhur. “S’mund ta rregullosh një sektor, pa e përfshi vetë atë”, ka thënë ajo.

Sipas Kusarit, projektligji parasheh që KPM-ja të ketë njerëz militantë, si nga procedura e zgjedhjes së tyre përmes Kuvendit e edhe mënyrës së lehtë të shkarkimit. 

Ky projektligj ka qenë në rend dite për miratim në lexim të dytë të enjten në Kuvend. Megjithatë, seanca u mbyll në mungesë kuorumi pas largimit të opozitës. 

Kundër këtij ligji kanë dalë autoritete ndërkombëtare. Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, ka thënë për KOHËN të mërkurën se ky miratimi i këtij projektligji cenon lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Kosovë.