Kandidati i pavarur për Kuvendin Komunal të Ferizajt, Bashkim Fazliu, ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesë në Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar zgjerim të hetimeve dhe masa të jashtëzakonshme verifikuese lidhur me procesin zgjedhor, përfshirë edhe mundësinë e rinumërimit të votave.
Fazliu deklaroi se janë dorëzuar emrat e 33 ish-kandidatëve asamblistë nga Ferizaj për zgjedhjet komunale të 12 tetorit, ndërsa paralajmëroi se së shpejti pritet të dorëzohen edhe nga komuna të tjera.
Ai tha se në Prokurori është kërkuar zgjerimi i hetimeve që janë duke u zhvilluar për 28 dhjetorin, duke e lidhur këtë me dyshimet për shkelje të përsëritura nga të njëjtët komisionerë.
“Kemi dorëzuar 33 ish-kandidatë për zgjedhje komunale të 12 tetorit nga Ferizaj dhe shumë shpejt besoj edhe nga komunat e tjera, ne sot i dorëzuam dy kërkesa. Kërkesën e parë e kemi dorëzuar te Prokuroria Themelore në Ferizaj. Në prokurori kemi bërë kërkesë për zgjerim të hetimeve që janë duke u bërë për 28 dhjetorin pasi është natyra e njëjtë, janë komisionerët e njëjtë. Sipash nesh, ekziston dyshimi i bazuar që të njëjtit komisionerë që janë verifikuar që kanë bërë shkelje më 28 dhjetor, ekziston baza e dyshimit që të njëjtit kanë mundur të keqpërdorin votën apo vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 12 tetorit”, ka thënë Fazliu, raportoi EO.
Ai shtoi se paralelisht është parashtruar kërkesë edhe në KQZ për ndërmarrjen e masave të jashtëzakonshme pas, siç u shpreh, daljes në pah të provave të reja për keqpërdorime dhe manipulime.
“Ne kemi bërë sot edhe kërkesën drejtuar KQZ-së për ndërmarrje të masave të jashtëzakonshme verifikuese pas daljes në pah të provave të reja të keqpërdorimeve dhe manipulimeve që kanë ndodhur më 28 dhjetor. Në zgjedhje lokale edhe një votë e bën diferencën dhe për një votë njerëzit do të ankohen që kanë mbetur jashtë vendit”, tha ai.
Sipas tij, njëra nga kërkesat drejtuar KQZ-së është edhe rinumërimi i votave, ndërsa paralajmëroi se nëse rezultati ndryshon, do të kërkohet anulimi i procesit.
“Ne KQZ-së i kemi kërkuar ndërmarrjen e masave të jashtëzakonshme verifikuese, njëra ndër kërkesat është edhe rinumërimi i votave. Nëse del rezultati i njëjtë për hajër ju koftë, nëse jo do të kërkojmë anulim”, shtoi Fazliu.
Ai ngriti edhe dyshime lidhur me asgjësimin e fletëvotimeve, duke thënë se sipas tij nuk ka gjetur njoftim zyrtar nga KQZ-ja.