Arbëri

33 kandidatë për asamble të Ferizajt kërkojnë rinumërim të votave të asgjësuara të zgjedhjeve lokale

33 kandidatë për asamble të Komunës së Ferizajt kanë kërkuar të hënën nga KQZ-ja të bëhet rinumërimi i votave nga zgjedhjet lokale të vitit 2025. Gjatë kërkesës së shtruar, ata janë njoftuar se fletëvotimet janë asgjësuar tashmë, por një prej tyre ka ngritur dyshime për këtë

Rinumërimin e fletëvotimeve që nuk ekzistojnë më janë duke e kërkuar 33 kandidatë për asamble në Komunën e Ferizajt në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar.

Kandidati i pavarur Bashkim Fazliu, në emër të këtij grupi, të hënën e ka dorëzuar kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e ku është njoftuar edhe për asgjësimin e këtyre fletëvotimeve.

“Kjo është kërkesë për ndërmarrje të masave të jashtëzakonshme verifikuese, pas daljes në pah të provave të reja të keqpërdorimeve dhe manipulimeve që kanë ndodhur më 28 dhjetor. Para se me fillu, unë e kam hulumtu faqen e KQZ-së, hulumtoni edhe ju faqen e KQZ-së, askund nuk e kam parë ndonjë njoftim nga KQZ-ja se janë asgjësuar fletëvotimet. Unë dëgjova që tash janë asgjësuar, por ju nëse e gjeni një link që e kanë asgjësu”, tha Fazliu.

Në KQZ kanë thënë se asgjësimi i materialeve zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 2025-tës është bërë brenda afatit ligjor.

“Nga ky proces janë përjashtuar materialet e vendvotimeve, të cilat Prokuroria e Shtetit dhe gjykatat janë duke i trajtuar. Gjithashtu, siç parashihet me ligj, KQZ-ja ka certifikuar rezultatet e Zgjedhjeve Lokale 2025, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit, si dhe pas vendosjes nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme për ankesat e kandidatëve dhe subjekteve”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Por kandidati i pavarur Fazliu insiston se duhet të bëhet rinumërimi i votave dhe se certifikimi i zgjedhjeve lokale duhet të anulohet.

“KQZ-së i kemi kërkuar ndërmarrjen e masave të jashtëzakonshme verifikuese, pastaj një nga kërkesat tona është edhe rinumërimi i votave, dhe nëse rezultati nuk është i njëjtë atëherë kemi kërkuar mu anulu certifikimi”, tha Fazliu.

Fazliu po ashtu ka thënë se gjatë ditës është shtruar kërkesë në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, për zgjerim të hetimeve dhe masa të jashtëzakonshme verifikuese lidhur me procesin zgjedhor, përfshirë edhe mundësinë e rinumërimit të votave të zgjedhjeve lokale.

Iniciativa e këtij grupi të Ferizajt është ndërmarrë pas zbulimit të manipulimit me vota të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor.