Zgjedhjet 2025

Një e treta e vendvotimeve shkojnë në rinumërim pas dallimeve në votat e kandidatëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për rinumërimin e rreth një të tretës së vendvotimeve, pasi verifikimi i një mostre prej 2 për qind ka nxjerrë dallime në numërimin e votave preferenciale për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. E Demokracia në Veprim ka kërkuar që në të 38 komunat, votat të numërohen 100 për qind

Një e treta e vendvotimeve janë çuar në rinumërim, me vendimin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e mori gjatë mbledhjes të së martës. 

Në këtë mbledhje, sekretariati i KQZ-së ka verifikuar 2 për qind të votave të numëruara në Qendra Komunale të Numërimit dhe ka vërejtur se ka dallime te rezultatet e kandidatëve për deputetë, por jo edhe tek ato për parti. Për këtë shkak ka rekomanduar rinumërim të plotë në 10 komuna, si dhe të 10% të vendvotimeve në komuna të tjera.

Anëtari Muharrem Nitaj theksoi që në rast se vërtetohen dallime të mëdha në 28 komunat, ku rinumërimi do të jetë i pjesshëm, atëherë do të kërkohet që në të gjithë vendin, secila votë t’i nënshtrohet procesit të rinumërimit. 

“Në këto dhjetë komuna, ndryshimet ose gabimet kanë qenë më të mëdha. Prandaj kemi vendosur që në këto dhjetë komuna të bëhet rinumërimi i plotë, 100%. Fakti që komunat e tjera shkojnë në rinumërim në 10% të votave nuk e përjashton mundësinë që edhe në këto komuna, nëse vërehen mospërputhje, të shkojnë në rinumërim të plotë”, ka thënë Nitaj. 

E kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, paralajmëroi hapa ligjorë ndaj shkelësve. 

“Nëse pas rinumërimit konstatohet se janë manipuluar votat e kandidatëve brenda partive, të gjithë do të paraqiten, do të bëhet fletëparaqitje penale në prokurori për të gjithë ata që kanë numëruar dhe kanë bërë këto manipulime”, ka thënë Radoniqi. 

Nga verifikimi i vetëm dy vendvotimeve në Prizren, sekretariati ka gjetur se dallimi në vota të kandidatëve të vetëm dy subjekteve politike është 714. Në Ferizaj 270. Në Skenderaj, nga një vendvotim dallimi në votat e kandidatëve është 149. 

Në organizatën për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim, kërkuan që në të 38 komunat, të numërohen 100 për qind e votave, në mënyrë që sigurohet që çdo votë të numërohet saktë dhe të reflektohet drejt në përbërjen e institucioneve të ardhshme.

“Edhe pse rezultati për subjektet politike nuk vihet në dyshim, saktësia e numërimit të votave preferenciale për kandidatë është element thelbësor i vullnetit të votuesve dhe pjesë përbërëse e rezultatit zgjedhor. Konfirmimi i dallimeve substanciale në votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, bazuar në vetëm 2% të mostrës së vendvotimeve është një indikator i problemeve serioze strukturore, duke përjashtuar mundësinë që këto mospërputhje të rrjedhin nga gabime të izoluara njerëzore”, thuhet në kërkesën e Demokracisë në Veprim.

Rinumërimi ka filluar në orët e mbrëmjes të së martës. Procesit do t’i nënshtrohen të gjitha votat e Prizrenit, të Ferizajt, Skenderajt, Shtimes, Vushtrrisë, Dragashit, Mamushës, Kaçanikut, Leposaviqit dhe Ranillugut.