Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputeti i VV-së: Në Kosovë nuk ka opozitë, ka grupe parapolitike

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka hedhur akuza të rënda drejt opozitës në Kosovë, duke i cilësuar si “grupe parapolitike”. Sipas Rexhajt, opozita po dëshiron që me krijimin e Komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike të përdorë të pavërteta.

Si arsye pse Grupi Parlamentar i VV-së nuk e votoi themelimin e këtij Komisioni në seancën e së martës, Rexhaj përmend dy arsye. Thotë se e shkel nenin 10 të Ligjit për komisione hetuese, por edhe se opozita do ta përdorë si arenë për të pavërteta.

“Ne nuk jemi kundër, përkundrazi jemi pro. VV-ja është shembull i opozitarizmit vitet e kaluara për krijimin e këtyre komisioneve. Megjithatë, mendojmë që ka problem koceptual. Opozita është nënshkruese për themelimin e këtij Komisioni. Me Ligjin për komisione hetuese, sipas nenit 10, nuk duhet të nënshkruajnë të gjitha grupet parlamentare, ndërsa këta kanë nënshkruar gati të gjithë. VV-ja do ta votonte po nëse nuk do ta kishte shkruar njëri grup parlamentar. Nuk na frikëson ky Komision, as metodat e errëta që i kanë përdorur [opozita] kur kanë qenë bashkë. Jemi për t’i zbuluar të bëmat e atyre që fshihen pas emërtimit opozitë. Në Kosova nuk ka opozitë përmbajtjesore, ka grupe parapolitike të cilat më së paku i shërbejnë qytetarëve të Kosovë. Ne jemi për ta krijuar atë Komision, por nuk jemi për ta shkelë ligjin dhe Kushtetutën. Nuk e duam një Komision, ku për opozitë do të jetë arenë për të përdorur të pavërteta”, ka thënë Rexhaj në “Interaktiv” të KTV-së.

Opozita sot deklaroi se do të bojkotojë çdo votim në Kuvend deri në themelimin e Komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike. Sipas Rexhajt, ky vendim i opozitës i ka humbur Kosovën 100 milionë euro.

“Mosvotimi i marrëveshjes ndërkombëtare sot, i ka humbur Kosovës 100 milionë euro. Ne sa kemi qenë në opozitë pothuajse të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare i kemi votuar. Mos e bojkotoni Kosovën. Por po e përsëris, nuk ka opozitë përmbajtjesore, ka grupe parapolitike”, ka deklaruar Rexhaj.