Arbëri

Seanca nis me përplasje mes pushtetit e opozitës

Seanca e së martës në Kuvendin e Kosovës ka nisur me përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, pasi opozita ka insistuar që në rend dite të hyjë formimi i Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar që të futet në rend dite kjo pikë dhe pastaj të vazhdohet me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Tahiri ka thënë se Kuvendi nuk ka zgjidhje tjetër, pasi sipas tij, komisioni është formuar, derisa ka kërkuar që kjo pikë të hyjë në rend të ditës dhe të votohet.

Ai ka thënë se themelimi i këtij komisioni nuk i prish punë askujt.

Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në mocionin e prezantuar nga PDK-ja nuk përmendet fakti se 40 deputetë nënshkrues janë iniciues të formimit të këtij komisioni.

Ajo ka thënë se VV-së i intereson se çfarë përbërje mund të ketë ky komision, pasi deputetët nënshkrues janë nga partitë opozitare.

“Në rrethanat aktuale pamundësohet funksionalizmi përderisa të gjitha partitë opozitare janë iniciuese, ndërsa me ligj asnjë nga deputetët e pozitës nuk mund të jetë kryesues i këtij komisioni. Bazuar në praktikën e mëhershme, më 2018, kur njëjtë nënshkrues ishin LDK-ja e LVV-ja, kryeparlamentari asokohe tha që për arsye se deputetët e dy partive janë iniciuese të komisionit hetimor nuk mund të themelohet sepse nuk mund të udhëhiqet nga deputetët e njërit grup parlamentar që është iniciues i komisionit hetimor”, ka thënë ajo

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se partia e tij e përkrah që kjo pikë të hyjë në rend dite. Ai ka thënë se LDK-ja nuk është iniciuese e themelimit të këtij komisioni dhe ka deputetë nga kjo parti që nuk janë nënshkrues për themelimin e këtij komisioni.

Ai ka paralajmëruar se nëse kjo pikë nuk hyn në rend dite, atëherë si grup parlamentar nuk do të marrin pjesë asnjëherë votim.

“Nëse ju tentoni të mohoni këtë të drejtë, nuk ka kuptim që ne të marrim pjesë në Kuvend. Nuk ka kuptim parlamentarizmi në Kuvend nëse mohohet një e drejtë kushtetuese. Nëse nuk formohet ky komision, nuk ka kuptim që grupi parlamentar i LDK-së të marrë pjesë në Kuvend. Nuk ka kuptim as të votohen marrëveshjet ndërkombëtare kur ju ia mohoni opozitës formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar”, ka thënë ai.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kur është diskutuar për themelimin e këtij komisioni, është diskutuar edhe për iniciuesin. Sipas tij, është gabim i pafalshëm i VV-së që të mos e adresojë këtë çështje.

“Është e domosdoshme edhe nëse duam të kemi një frymë të një bashkëpunimi afatgjatë atëherë kërkojmë nga ju ta votoni këtë komision. Po ua them troç, nuk do të kalojë dhe nuk do të heshtim dhe nuk do ta pranojmë mosthemelimin. Nëse mendoni që është antikushtetues adresojeni në Kushtetuese. Çka po dëshironi të fshihni?”, ka thënë ai.