Sot mbushen 31 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut.
Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.
Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.
Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.
Deklarata shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave.
Në Kuvendin e Kosovës u mbajt seancë solemne, ku 2 Korriku u vlerësua akt i guximshëm i asaj kohe dhe moment historik. Presidentja Vjosa Osmani tha se me shpalljen e Deklaratës Kushtetuese u hap rruga drejt shtetësisë, kurse kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca tha se delegatët e 2 Korrikut ishin mishëruesit e vullnetit kolektiv për liri.
Ndërkaq, në rrjete sociale e kanë përkujtuar edhe të tjerë nga skena politike. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e cilësoi të paharrueshme për historinë e Kosovës këtë ngjarje.
“Ata nuk i frikësoi forca e armëve e as zhurma e tankeve. Ata i dërguan botës mesazhin e përcaktimit të shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi”, ka shkruar Haradinaj.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur momentum historik të vullnetit politik.
“Sot, tri dekada nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, Kosova është shtet i pavarur dhe ndonëse me probleme dhe sfida të shumta, prandaj ne nuk guxojmë assesi ta lejojmë zbehjen e këtij projekti për të cilin u flijuan gjenerata të tëra”, tha ai.