Arbëri

Konjufca për 2 Korrikun: Akti më i guximshëm i asaj kohe

31 vjet më parë delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut. Në Kuvendin e Kosovës sot, po mbahet seancë solemne në nder të asaj date.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca veprimin e atyre delegatëve e ka quajtur akt më të guximshëm.

“Një popull i tërë u bë cak i persekutimeve, burgosjes, dhunës policore, vrasjeve, por 2 korriku është momenti kyç i shprehjes së vullnetit i popullit të Kosovës, përmes shpalljes Republikë delegatët e 2 korrikut ishin mishëruesit e vërtetë të vullnetit kolektiv për liri dhe të drejtën e vetëvendosjes”.

Konjufca ka thënë se rëndësia e 2 korrikut merr kuptim të plotë kur shikohet nga “konsekuencat politiko juridike që pasuan në përpjekjet tona për çlirim dhe pavarësi”.

Ndërsa ka shtuar se 17 shkurti i 2008-s i pati rrënjët ne 2 korrikun e 1990-s.

“Lufta e drejtë çlirimtare e UÇK ishte hallka e fundit e përpjekjes sonë që mori formë të armatosur për largimin e okupimit serb nga Kosova një herë e përgjithmonë. 17 shkurti 2008 i ka rrënjët në 2 korrikun 1990. Më 17 shkurt u rishpall pavarësia e Kosovës por me kompromiset e Ahtisaarit që e përmbylli procesin negociator për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, tha ai.

Shtoi se lufta e drejtë e popullit të Kosovës dhe rënia e dëshmorëve i dhanë vulën lirisë “mbi të cilën nuk ka më kompromise të mëtutjeshme”.

Ndërsa, ish-kryetari i Kuvendit të Legjislaturës së vitit 1990, Ilaz Ramajli, ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është hapi i parë drejt pavarësisë së mëvonshme. E asaj tha se i pati paraprirë unifikimi i plotë i shqiptarëve në Kosovë dhe kërkesat gjithëpopullore për liri dhe barazi.

“Para 31 vitesh të gjithë delegatët kishin ardhur nën kohë por dyert e Kuvendit ishin mbyllur dhe të gjitha hapësirat tjera në këtë ndërtesë ishin vendosur nën kontroll të potë të njësisë policore serbe. Përkundër mbylljes delegatët duke qenë të vendosur për të çuar në vend vullnetin politik të qytetarëve, nën qiellin e hapur shpallën Deklaratën Kushtetuese”, tha ai në Kuvend.