Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, ngjarje emblematike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë.

Osmani e ka quajtur këtë si ngjarje emblematike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë. Akti i tyre dëshmoi se rruga e bërjes së shtetit kërkon përkushtim, sakrificë dhe guxim. Delegatët e asaj kohe i gërshetuan këto të tria, duke vërë gurin themeltar të shtetit të Kosovës, i cili u vulos më 17 shkurt 2008. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesën tonë historike për liri dhe pavarësi. 2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për shtetin tonë, ngase themelet e tij qëndrojnë mbi vendimin e delegatëve të asaj kohe. Urime 2 Korriku, qoftë e përjetshme Republika e Kosovës!” – ka thënë Osmani.


Haradinaj: Deklarata e 2 Korrikut, gurthemel i lirisë së jetësuar më vonë nga UÇK-ja

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, ishte gur në themelet e lirisë që u jetësua disa vjet më pas nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se kjo deklaratë ishte vazhdimësi e përpjekjeve të shqiptarëve për liri.

“Atë ditë, 111 delegatë edhe pse në kushte shtetrrethimi, legjitimuan vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi. Ata do të kujtohen dhe lartësohen nga brezat për përpjekjen e tyre për jetësimin e ëndrrës shekullore, shtetit të pavarur. Deklarata e 2 korrikut 1990, ishte një gur në themelet e lirisë, e cila u jetësua disa vjet më pas nga trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ai.


Konjufca: Deklarata e 2 Korrikut, zë unitar i popullit shqiptar në Kosovë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut është bërë zëri unitar i përcaktimit të vullnetit politik të popullit shqiptar në Kosovë.

Në përvjetorin e 33-të të kësaj ngjarjeje Konjufca ka thënë se me miratimin e Deklaratës Kushtetuese nga delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës janë shpalosur parimet afirmative për vetëvendosje të popullit dhe barazi mes kombeve.

“Pikërisht në këtë mospërputhje radikale, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut do të prodhonte atë çarje politike, prej ku pasoi dhe Kuvendi i Kaçanikut më 7 shtator 1990, kur Kosova shpallej republikë, Referendumi i vitit 1991 për pavarësi, zgjedhjet e para të vitit 1992 dhe lufta e UÇK-së për liri; e deri te shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt të 2008-s”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Ai shprehu nderimet më të larta për delegatët e 2 korrikut 1990.

“Deklarata Kushtetuese është edhe sot shembull i shkëlqyer se çfarë do të thotë kur një popull i vendos ligjin vetvetes; se si kjo shënon përcaktim të drejtësisë në raport me vetveten dhe të barazisë në raport me tjetrin”, është shprehur më tej ai.