Më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë e Veriut, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.
Atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua deklarata e pavarësisë, filloi aparteidi i regjimit të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë.
Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut, themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 35-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut ka thënë se ajo ishte shkëndija që mbajti gjallë shpresën dhe qëndresën.
Sipas saj, kjo Kushtetutë ishte themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës.
“Më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës i dhanë jetë Kushtetutës së Kaçanikut, aktit më të lartë të guximit politik dhe besimit në lirinë dhe pavarësinë tonë. Kjo Kushtetutë ishte shkëndija që mbajti gjallë shpresën dhe qëndresën, si dhe themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ky akt sublim ishte më shumë se një dokument juridik.
“Ishte betim që Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur në mesin e kombeve të tjera të lira. Sot, përulemi me nderim para atyre që guxuan atëherë kur duhej të rrezikonin gjithçka dhe me krenari vazhdojmë rrugën që ata trasuan”, ka thënë ajo, thuhet në një komunikatë për media.