Arbëri

Votuesit serbë nga Kosova do të mund të votojnë në qytetet serbe

Descriptive Text

Komisioni Zgjedhor i Serbisë ka vendosur që serbët nga Kosova do të mund të votojnë në referendumin e Serbisë në qendrat e votimit në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë e Vranjë.

Emrat e votuesve nga Kosova do t’u shtohen listës së 45 qendrave të votimit për të dielën. Ata do të mund të votojnë atje, pasi që në Kosovë nuk do të lejohet organizimi i votimit. Autoritetet e Kosovës ua kanë dhënë mundësinë serbëve që kanë dy shtetësitë që të votojnë me postë ose në zyrën ndërlidhëse të Serbisë.

KOHA ka mësuar se tashmë në komunat veriore të Kosovës ka nisur një organizim nga kompanitë e autobusëve që të dielën pasdite të dërgohen qytetarë serbë për të votuar në referendum, në katër qytetet e Serbisë.

Të shtunën, Kuvendi miratoi një rezolutë që ndalon organizimin e këtij referendumi kushtetues të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Ky vendim ishte në vijë me qëndrimet e krerëve të shtetit.

Të dielën në Serbi votohet për ndryshime të Kushtetutës lidhur me gjyqësor.