3 perditesime
21:27

Hoxha: Grabitja është fenomen që nuk zgjidhet vetëm nga policia

Gazmend Hoxha, drejtor i operacioneve në Policinë e Kosovës, në emisionin “Tempus” në KTV tha se grabitja është fenomen që nuk zgjidhet vetëm nga policia.

Hoxha tha se policia nuk është fajtori kryesor për gjithçka që ndodhë në Kosovë.

“Duheni me e pas parasysh se Policia gjatë këtyre dy vjetëve të fundit sa punën e ka kryer, ne jemi bo doktorë. Kemi luftuar me pandeminë, kemi luftuar me maskat, me muzikën, me dasmat, me ahengjet, me aksidentet e trafikut me të gjitha, kemi pas operacione në veri që janë më shumë gjysmë ushtarake se policore”, tha Hoxha. 

21:07

Shala: Gjykatat po shqiptojnë dënime minimale në rastet e grabitjeve

Hulumtuesi në IKD, Gzim Shala, ka thënë se gjykatat janë duke shqiptuar dënime minimale në rastet e grabitjeve.

Shala ka thënë se nga 31 raste që janë monitoruar IKD-ja, shprehur mesatarisht dënimi është rreth 2.5 vjet burgim për person. Ndonëse për rastet e grabitjeve dënimi maksimal me burgim efektiv mund të jetë 12 vjet deri 15 vjet.

“Në 31 rastet që i ka monitoruar IKD-ja, shprehur në mesatare dënimi është rreth 2.5 vjet për person. Pothuajse bëhet fjalë për një minimum ligjor të shqiptuar në këto raste. Nuk arrihet me dënime të tilla qëllimi, e shohim edhe praktikisht”, ka thënë Shala në emisionin “Tempus” të KTV-së.

Ai ka shtuar se dukuria e grabitjeve ka shkuar duke u rritur nga viti 2017 deri më 2021.

“Këto dënime nuk arritën qëllimin e vet që të parandalohet kriminaliteti në këtë fushë”, tha Shala.

20:53

Eksperti i sigurisë: Grabitjet në mes të ditës kanë ndikim të madh në sigurinë e qytetarëve

Eksperti i sigurisë, Suad Bikliqi tha se storiet e grabitjeve të bankave në mes të ditës dhe në qendër të kryeqytetit janë shumë të frikshme, e se kanë ndikim të madh në sigurinë e qytetarëve.

“Ndikojnë shume negativisht në shoqërinë tonë, sepse zbehet siguria e secilit qytetar i cili lëviz rrugëve të kryeqytetit. Kjo e zbehë edhe besimin ne institucionet e Kosovës, të organeve të sigurisë’, u shpreh ai në emisionin “Tempus” në KTV.

Ai shtoi se në raste të tilla duhet të merren masa për parandalimin ose zbulimin e tyre, në të kundërtën është shumë shqetësueses.

20:47

Shala: Ekziston një zinxhir i dështimeve në rastet e grabitjeve

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, thotë se pamjet e plaçkitjes së një filialeje të bankës “ProCredit” në Prishtinë në vitin 2017, janë shokuese. Mirëpo, ai thotë se nëse mendon për gjetjet e IKD-së mbi trajtimin e këtyre rasteve, atëherë nuk çuditet që ndodhin ato.

Për rastin në fjalë ende nuk ka ndonjë “feedback”.

“Nuk është se nuk kemi pritur që në të ardhmen këta do të trimërohen e do të veprojnë kështu edhe gjatë ditës, për shkak se ndër vite politika e hetimit, ndjekjes dhe gjykimit, vetëm se i ka trimëruar këta kriminelë, të cilët sot marrin guximin e dalin në këtë mënyrë”, ka thënë Shala në emisionin “Tempus” të KTV-së.

Ai ka thënë se ka një zinxhirë të dështimeve në rastet e grabitjeve.

“Ideja pse ndodhin këto, faktori nuk është i koncentruar vetëm në një fushë të vetme. Ka një zinxhirë të dështimeve, që nga momenti kur hetohet rasti në Polici, që nga trajtimi shabllon në prokurori e më pastaj kur shkon në Gjykatë, kemi një politikë ndëshkimore favorizuese e jo ndëshkuese në raport me kryerësit e këtyre veprave, e që në fakt e bënë këtë dukuri jashtëzakonisht problematike. Kjo jo vetëm për palët e dëmtuara, pronarin e parave apo kompaninë, por edhe për rrethin në përgjithësi. Terrorizohet masa kur sheh skena të kësaj natyre e sheh mosefikasitet të sistemit”, ka thënë Shala.