Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, ka theksuar se ka dështim të vazhdueshëm të mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale.
“Realisht nëse i shohim gjetjet e Raportit të Progresit nuk e di a do të mund të prisnim diçka tjetër nëse e trajtojmë çështjen e korrupsionit, luftimin e korrupsionit në Kosovë. Kjo çështje evidentohet edhe në Raportin e Progresit. Vazhdon do të thotë ajo narrativa e njëjtë e Raportit të Progresit që tregon ligjet e miratuara në Kosovë dhe fakti se është sfidues zbatimi i ligjit në praktikë. Në këtë drejtim përmenden disa prej aspekteve”, ka deklaruar Shala në emisionin “Tempus” në KTV.
Ai ka përmendur mungesën e konfiskimeve përfundimtare nga ana e sistemit të drejtësisë.
“Nëse shohim se si është trajtuar kjo çështje tek ne, kemi pasur dështim të vazhdueshëm të mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale. Janë ndoshta pak shqetësuese këto deklarimet e ndryshme, raportimet e ndryshme që kanë qenë në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku është thënë se ka rezultat të mirë në fushën e sekuestrimit dhe nuk ka rezultat të mirë në fushën e konfiskimit”, ka theksuar Shala.
Sipas tij, pasuria e cila sekuestrohet, sekuestrohet me qëllimin që në fazat tjera të konfiskohet.
“Kjo nënkupton që politikat që po ndjek sistemi prokurorial dhe sistemi gjyqësor vetëm se sekuestrojnë pa bazë pasurinë e caktuar, ia humbin vlerën asaj dhe i cenojnë qytetarët nga gëzimi parësor i pronës së tyre sepse kjo tutje nuk reflektohet me konfiskim”, ka shtuar Shala.
-
Byroja për konfiskimin e pasurisë, IKD-ja kërkon ndryshime para miratimit të ligjit
-
IKD: Nga 444 të akuzuar për korrupsion më 2024-2025, 2.47% e tyre të profilit të lartë
-
GLPS: Gjyqësori zvarrit rastet e profilit të lartë, dënimet s’e pasqyrojnë seriozitetin e veprave
-
Shala: Gjyqësori i paaftë të sigurojë gjykime brenda afateve të arsyeshme kohore
-
Shala thotë se në Draft-strategjinë kundër korrupsionit ka pasaktësi faktike