Arbëri

300 euro pagë për punonjësit teknikë të shkollave në kryeqytet

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, deklaroi se Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që punëtorëve teknikë të shkollave të Prishtinës, t'iu rritet paga.

Në emailin e dërguar nga Drejtoria e Arsimit për Azemin u tha se paga bruto për punonjësit do të jetë 300 euro.

“Përmes këtij emaili ju njoftojmë se paga bruto për punëtorët teknikë në kontratën e radhës do të jetë 300 euro. Gjithashtu ju njoftojmë që ashtu siç jemi dakorduar, do të bashkëpunojmë me cilindo operator ekonomik që do të përzgjidhet me procedurë të prokurimit, që të angazhojë punëtorët teknikë aktualë, gjë që e cila është në vullnetin e operatorit. Ju njoftoj që nëse nuk ofrohen shërbimet e mirëmbajtjes, sipas kontratës me kompaninë ‘Krasniqi’, si komunë detyrohemi që të mos bëjmë pagesën e faturave për operatorin ekonomik”, thuhet në emailin që Azemi e ka publikuar në Facebook të premten.

Kreu i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat tha se me këtë vendim, Komuna e Prishtinës ka lëvizur por mbetet të shihet nëse këtë e pranojnë punonjësit. Deri më tani punëtorët teknikë janë paguar 250 euro në muaj.

Punonjësit teknikë kishin paralajmëruar se nga e hëna (27 mars) do të futeshin në grevë, në rast se nuk plotësohet kërkesa e tyre.