Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë, se MASHTI u ka dërguar qarkore të gjitha komunave në Kosovë më 15 qershor të këtij viti përmes së cilave u është sqaruar se këtë vit librat për klasat 6,7 dhe 9, duhet të shfrytëzohen nga kontingjenti i vitit të kaluar.
Pupovci ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se deri më 15 korrik, komunat është dashur të raportojnë nevojat për tekste, duke përfshirë edhe ato për klasat 6,7 dhe 9, dhe se dorëzimi i teksteve nga ana e ministrisë është bërë konform kërkesave të komunave.
“Më 15 qershor të këtij viti ne e kemi dërguar një qarkore në të gjitha komunat ku e kemi sqaruar se këtë vit librat për klasat e 6,7 dhe 9 do të shfrytëzohen nga kontingjenti i vitit të kaluar, pra shkollat do t’i mbledhin ato prej nxënësve që përcaktohet sipas udhëzimit administrativ përkatës i cili është i vitit 2016. Deri më 15 korrik, është dashur të raportojnë komunat nevojat përfshirë edhe nevojat për tekste të reja për klasat 6,7 dhe 9 nëse nuk ka pasur mjaftueshëm, në kontingjent. Krejt dorëzimi i teksteve nëpër komuna është bërë konform kërkesave të komunave. Komunat kanë komunikuar me ne në muajt qershor dhe korrik, ndërkohë janë nënshkruar kontratat me shtëpitë botuese, është bërë shpërndarja e librave dhe pastaj është kuptuar se një numër i shkollave nuk i kanë mbledhur nga nxënësit librat e klasave të 6,7 dhe 9. Arsyetimet janë të ndryshme. Ne këto libra nuk i kemi kontraktuar nga shtëpitë botuese sepse nuk kemi pasur kërkesë”, ka sqaruar Pupovci për raportimin e mungesës së librave nëpër shkolla.
Ai ka thënë se nuk mund të dërgohen libra janë kësaj marrëveshjeje, sepse nuk ka kontratë për to.
Pupovci ka shtuar se në shumë komuna janë evidentuar depo të librash të cilat kanë mbetur të pa shpërndara.
“Nuk mund të dërgojmë libra jashtë kësaj marrëveshjeje sepse nuk kemi kontratë për to. Janë evidentuar në shumë komuna depo të tëra librash të cilat nuk janë shpërndarë për shkak të numrit të zvogëluar të nxënësve. Nuk është hera e partë që është zbatuar ky udhëzim administrativ në këtë formë”, ka thënë Pupovci.