Viti i ri shkollor do t’i gjejë shumicën e nxënësve pa libra. Me vetëm një javë të mbetur deri më 1 shtator, ende nuk dihet se kur do të transferohen mjetet për blerjen e librave shkollorë. Ministria e Arsimit nuk ka dhënë një kohë të saktë për përfundimin e aplikimeve dhe nisjen e pagesave. Ky institucion për këto vonesa është kritikuar nga njohësit e arsimit dhe Këshilli i Prindërve.
Edhe pse ka mbetur vetëm një javë deri në fillimin e vitit të ri shkollor, prindërit e nxënësve ende nuk e dinë se kur do të bëhet transferimi i mjeteve nga Qeveria për blerjen e librave.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI) nuk ka dhënë ende një kohë të saktë për përfundimin e aplikimit dhe për nisjen e pagesave.
“Ju njoftojmë se ende nuk ka përfunduar procesi i konfirmimit të aplikimeve nga shkollat dhe në momentin që do të përfundojë, pritet të fillojë transferimi i mjeteve për tekste dhe mjete të tjera shkollore. Ndërsa, përcaktimi i afatit të aplikimit do të bëhet gjatë ditëve në vijim”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga MASHTI.
Nënkryetarja e Këshillit të Prindërve, Linda Dula, thotë se kjo nuk është hera e parë që ministria subvencionon tekstet shkollore, por sipas saj, vonesat dhe problemet përsëriten çdo vit.
“Dalja e mjeteve financiare në konto, blerja në librari, furnizimi nëse do të jetë në rregull, a do të ketë libra për të gjithë në të njëjtën kohë? Kjo do të zgjasë edhe nuk ma merr mendja që do të fillojë para gjysmës së shtatorit. Këto duhet me u kry me kohë në mënyrë që fëmijët më 1 shator, eventualisht më 2 shtator ata të shkojnë me çanta në shkollë e me libra”, ka thënë Dula. “Kjo procedurë është e përvitshme, edhe gabimet janë për çdo vit të njëjta, vonesat janë për çdo vit të njëjta ose mos informimi është për çdo vit i njëjtë. Kjo është për t’u habitur”.
Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë se koha prej dy javësh para shtatorit është e mjaftueshme për aplikim.
Por ai thekson se furnizimi me libra mund të vonohet edhe këtë vit pasi ende nuk kanë nisur të bëhen pagesat për prindërit.
Edhe
Publikohet katalogu nga MASH-i, nis ndarja e mjeteve për subvencionimin e librave shkollor
“Hapja e platformës për aplikim dy javë para shtatorit është e mjaftueshme për shumicën e prindërve, për ta bërë aplikimin në kohë, me shpresë që subvencionimi, në fakt bartja e mjeteve, të bëhet para 1 shtatorit. Kësaj radhe dhe në këtë vit, aplikimi është subjekt i miratimit të listës së nxënësve nga shkollat korresponduese që domethënë si proces mundet të zgjasë më shumë se 1 shtatori”, ka thënë Qehaja.
Një javë më parë MASHTI njoftoi për hapjen e aplikimeve për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova.
Deri tani janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime, prej tyre vetëm 73,064 sosh janë trajtuar.
-
Në prag të vitit të ri shkollor, MASH-i ende pa katalog dhe çmime të teksteve shkollore
-
14 milionë euro për tekstet shkollore, mjetet pritet të ekzekutohen nga java e ardhshme
-
Hapet aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore
-
Shkollat në pritje të katalogut nga MASHTI, paralajmërohen pasoja nëse vonohet