Ministria e Arsimit edhe këtë vit nuk ka vendosur t’i kontraktojë vetë tekstet shkollore dhe materialet mësimore, por t’i subvencionojë prindërit. Një numër kritikash i janë dhënë asaj nga drejtorë komunalë e përfaqësues të prindërve të nxënësve
Dy javë para fillimit të vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka hapur aplikimin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova.
Sipas njoftimit, prindërit do të përfitojnë nga 80 euro për nxënësit e klasave I-V për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, po ashtu 80 euro do të subvencionohen edhe për nxënësit e klasave VI-IX por për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve tjera.
“Procesi i aplikimit këtë vit do të jetë shumë më i lehtë, pasi llogaritë bankare të prindërve janë aktive nga vitet paraprake. Ashtu si në dy vitet e kaluara, mjetet financiare do të transferohen në xhirollogaritë bankare të prindërve. Drejtoritë Komunale të Arsimit janë njoftuar në kohë dhe çdo aplikim do të verifikohet nga shkolla përkatëse përpara transferimit të mjeteve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Drejtori i Arsimit në Kaçanik, Zahir Doda, thotë se procesi ka mangësi të shumta, të cilat pamundësojnë që librat t’u arrijnë nxënësve me kohë.
“Në Kaçanik fare nuk kemi librari, një prej elementeve kryesore që i detyron prindërit të dalin jashtë territorit të Komunës e që faktikisht krijohen shpenzime. E dyta, mundësi aplikimi kanë shumë fëmijë që nuk janë fare këtu dhe në Komunën e Kaçanikut. Vitin e kaluar kemi pasur diku 318 fëmijë e që nuk kanë qenë nxënës tonë por që kanë aplikuar dhe i kanë marrë mjetet. E treta, ka fëmijë nga Maqedonia që mësojnë këtu dhe nuk kanë mundësi fare të aplikojnë. E katërta, ka plot prindër të papërgjegjshëm që nuk i blejnë as gjysmën e teksteve shkollore. Dhe, dhe e pesta është që në Komunën e Kaçanikut kurrë para 1 tetorit libri nuk ka arritur te nxënësi”, ka thënë Doda.
Ai theksoi se problem këtë vit pritet të jetë edhe kthimi i librave nga nxënësi e klasave 6-9.
“Një pjesë e madhe nuk mund të përdoren fare mirëpo edhe ajo pjesë që mund të përdoret, tash kemi pasur reagime nga prindërit se ata i kanë blerë dhe nuk i kthejnë, thjeshtë nuk e marrin për obligim t’i kthejnë. Dhe sigurisht që këtë vit kemi me pas problem për klasat 6-9 edhe pse kemi tentuar sepse ka qenë edhe kërkesë e ministrisë që me kërku prej prindërve që me i kthy tekstet shkollore. Një pjesë e madhe nuk i kthejnë ato por edhe një pjesë e madhe e tyre as nuk munden të përdoren”, ka thënë Doda.
Formën e blerjes së teksteve shkollore përmes subvencionimit të prindërve e kanë kundërshtuar sërish në Këshillin e Prindërve të Kosovës.
Nënkryetarja, Linda Dula, ka thënë se është kërkuar nga Ministria e Arsimit që të bëhet shpërndarja e teksteve shkollore, dhe jo e mjeteve për tekstet shkollore.
“Ne prapë nuk jemi pro shpërndarjes së mjeteve për blerjen e librave, por për shpërndarjen e librave, teksteve shkollore si ka ndodhur më parë. Tjetra është se edhe vetë si prind që e kam fëmijën në shkollë, tash në klasën e 6-të, edhe nga shumë prindër, edhe nga komentet nëpër media sociale ka shumë ankesa për klasën e 6 deri në të 9-ën që do të bëhet subvencionomi i mjeteve për fletoret e punës dhe për mjetet shkollore sepse kjo nuk është në rregull. Me libra të përdorur nuk punohet”, ka thënë Dula.
Që nga viti 2023, Ministria e Arsimit vendosi që blerja e librave të bëhet nga vetë prindërit me subvencionim të ministrisë.
Dy vjetët e kaluar procesi mësimor filloi më 1 shtator por, sipas drejtorive të Arsimit, disa nxënës nuk u furnizuan me tekste shkollore deri në muajin dhjetor.