Në libraritë e kryeqytetit nuk është parë frekuentim i madh për sigurimin e teksteve mësimore për fëmijë, dy ditë pasi Ministria e Arsimit ka hapur thirrje për subvencionim. E, njohës të arsimit kanë ngritur dilema nëse janë mjaftueshëm të ruajtura librat që pritet të kthehen nga nxënësit për klasat 6 deri 9
Dy ditë pas hapjes së aplikimit për subvencionimin e teksteve shkollore, interesim i vogël për blerjen e librave është vërejtur të dielën në një librari në qendër të Prishtinës.
Por ende nuk ka ndonjë shifër zyrtare se sa do të kushtojnë librat.
Për klasat nga e 6 e deri në të 9-tën, Ministria nuk i subvencionon tekstet mësimore, për të cilat është përcaktuar që të ofrohen të përdorura nga gjenerata në gjeneratë. Subvencionohen vetëm për fletore pune dhe mjete të tjera mësimore.
E, në bazë të llogaritjes së KOHËS, nga çmimorja e paraqitur në librari, nëse të gjithë librat blihen nga vetëm një shtëpi botuese dhe nëse prindërit vendosin t’i blejnë edhe tekstet për këto klasa dhe jo t’i marrin të përdorura, atëherë çmimet mund të arrijnë apo edhe ta tejkalojnë vlerën e subvencionimit prej 80 euro, siç është rasti me tekstet e klasës së 8-të.
Nëse të gjithë librat e klasave të gjashta deri në të nënta do të ruheshin siç parashihet me udhëzim administrativ, prindërve me këtë llogaritje u mbeten rreth 40 euro nga subvencioni për materialet e tjera shkollore.
Rinor Qehaja, drejtor i Institutit EdGuard, e shpreh dyshimin nëse janë të përdorshme librat që për këto klasa është paraparë të jepen nga gjeneratat paraprake.
“Shkollat do të duhej t’i kishin në dispozicion të rikthyera tekstet e mëparshme, në mënyrë që të njëjtat të jenë të gatshme për këtë vit mësimor. Kjo është një pikëpyetje që pa dyshim e meriton një debat të madh, pasi që jo të gjitha shkollat dhe jo të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit e kanë pasur atë informim dhe mbi të gjitha nuk e kanë pasur atë përgjegjësi që ato tekste kthehen në formën e duhur”, ka thënë Qehaja.
Ai e ka shprehur besimin që sivjet do të rrjedhë më me lehtësi procesi për subvencionim, për shumë prindër që e kanë bërë aplikimin më herët.
Megjithatë, i rekomandoi Ministrisë së Arsimit që t’i gjejë format për t’i ndihmuar prindërit që nuk kanë qasje apo kanë vështirësi për qasje në teknologji.
“Vlerësoj që i takon MASHTI-t të garantojë vetëdijesim më të lartë, por edhe përkrahje teknike në këto raste, pasi që ka plot mësime të marra nga vitet e mëparshme, të cilat në gjykimin tonë MASHTI do të duhej të ofronte zgjidhje më të qëndrueshme sa i përket përgjegjësisë që e ka në radhë të parë ndaj nxënësve”, ka thënë Qehaja.
E vërejtje të ngjashme kanë shprehur edhe në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
Nënkryetarja e kësaj sindikate, Vjollca Shala, ka thënë se forma se si MASHTI e ka zgjedhur t’i subvencionojë librat shkollorë nuk është ajo e duhura.
“Është parë edhe në dy vjetët e kaluar që nuk ka qenë mënyrë e duhur, ngase nxënësit ndoshta edhe me muaj të tërë nuk kanë qenë të pajisur me libra shkollorë. Shumë më e mirë ka qenë mënyra kur janë siguruar paraprakisht dhe ka qenë më e lirë”, ka thënë Shala. “Ka pasur raste kur një subvencionim i tillë është bërë në familje, duke pasur parasysh që kemi edhe familje të varfra, ndoshta familjet e tilla i kanë marrë ato të holla të cilat u kanë takuar për blerjen e librave për fëmijët e tyre. Por, një gjë e tillë, duke pasur mungesë ndoshta edhe të produkteve elementare për jetesë, ato mjete i kanë shpenzuar për jetesë. Ndërsa nxënësi ka shkuar ndoshta edhe tërë vitin pa libra”.
Edhe në komuna janë ankuar se forma se si e ka përzgjedhur ministria subvencionimin e librave u shkakton telashe.