Kompania e cila është marrë me hidrocentrale në rajonin e Deçanit, “Kelkos” ka tërhequr paditë ndaj aktivistëve të mjedisit Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi, kanë bërë të ditur nga koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve mjedisorë.
“Kelkosi” pati paditur aktivistët që qenë shprehur publikisht kundër ndikimit që kanë projektet e hidrocentraleve në atë zonë. Ata qenë paditur për shpifje. Organizatat e shoqërisë civile i patën cilësuar atë kohë si padi “slapp” për të penguar kritikën dhe pjesëmarrjen e aktivistëve në procese publike.
Kompania kishte kërkuar dëmshpërblim qindra mijëra euro.
Në një deklaratë për media, Loshaj ka thënë se kjo është fitore për demokracinë në vend, teksa ka shprehur kritika se asgjë s’ka ndërruar në grykë të Deçanit. Ajo madje ka paralajmëruar padi edhe ndaj institucioneve nëse nuk ndërmarrim masa sipas vendimit të Gjykatës Supreme për pezullim të punëve në hidrocentrale.
“’Kelkosi’ po vazhdon të degradojë Grykën e Deçanit dhe Lumëbardhin sepse po operon kundërligjshëm kundër vendimit që ka nxjerrë Gjykata Supreme se hidrocentralet e ‘Kelkosit’ s’mund të veprojnë në këto kushte. Edhe sot ‘Kelkosi’ s’është ndalë së vepruari dhe unë i kam marrë vendimet e gjykatës e do t’ia dorëzoj ministrit, Zyrës së Rregullatorit dhe Komisionit Parlamentar. Nëse duam shtet demokratik duhet të zbatohet ligji. Ne do të presim disa ditë nga ministri dhe ZRRE-ja. Moszbatimi i vendimit të gjykatës është vepër penale. Do të vazhdojmë me drejtësi e do të ngremë kallëzim penal edhe ndaj ministrisë dhe ZRRE-së për moszbatim të vendimit”, ka thënë ajo.