Arbëri

Kosova në pritje të përgjigjes nga Serbia për nisjen e gërmimeve në Shtaval

Descriptive Text

Pas përmbylljes së punimeve në Kizhevak të Serbisë, Kosova ka bërë kërkesë që të vazhdohet me gërmime edhe në Shtaval, lokacion tjetër ku dyshohet për varrezë masive me trupa të shqiptarëve. Për shkak se edhe ky vlerësohet terren i vështirë, janë kërkuar imazhe satelitore për të saktësuar lokacionin e trupave të mundshëm. Trysnia ndërkombëtare mbi Serbinë dhe hapja e arkivave të ushtrisë së saj mbesin parakushte për rezultate në këtë proces

Varreza e dyshuar masive në Shtaval është lokacioni i radhës brenda Serbisë ku Kosova planifikon të kërkojë qytetarë të saj të zhdukur nga lufta e fundit. Delegacioni i Kosovës për të zhdukurit ka kërkuar zyrtarisht nisjen e gërmimeve në këtë hapësirë dhe aktualisht është në pritje të përgjigjes nga shteti serb.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur thotë se data e mundshme e fillimit të gërmimeve varet nga pala serbe.

“Meqë po flasim për një minierë që vazhdon të jetë aktive, dhe varësisht nga përmbajtja ose nga informatat që mund të sigurohen edhe përmes imazheve satelitore pastaj do të bëjmë një vlerësim të mëtutjeshëm të detajuar bashkë me ekspertët e kësaj fushe dhe sigurisht që ne do të shohim mundësinë pastaj në cilën pjesë të këtij lokacioni është më e rëndësishme ose do të prioritizohet qasja”, thotë Gara.

Imazhet satelitore që çuan në gjetjen e trupave në Kizhevak janë kërkuar të bëhen edhe në Shtaval. Kjo, pasi hapësira e dyshuar vlerësohet po ashtu si terren i vështirë, derisa atë edhe më problematik e bën miniera e thëngjillit, e cila është funksionale.

Lokacionet e tjera të shënjuara për gërmime në të ardhmen janë Kozareva, Sudolica, Jallovishta e Novi-Pazari. Por shpresat e vetme për të arritur rezultate në këtë proces, familjarët e të pagjeturve i kanë te ndërkombëtarët.

Kryetari i Këshillit të Familjarëve të Personave të Zhdukur, Ahmet Grajçevci, kërkon më shumë presion ndaj Serbisë.

“Një trysni më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare mbi shtetin serb për t'i gjetur varrezat masive është e domosdoshme, dhe pa një trysni të madhe Serbia kurrë nuk do t'i tregojë. Një trysni e madhe për vëllezërit Bytyqi dhe për 74 orë çdo gjë është zbuluar”, thotë Grajçevci.
Për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve, sipas Kushtrim Garës, kryesore mbetet hapja e arkivave të ushtrisë serbe.

“Do të jetë gjithmonë sfiduese puna në territorin e Serbisë në qoftë se nuk ka qasje të plotë në arkivat e ish-ushtrisë jugosllave dhe të policisë serbe, sepse është vështirë duke pasur parasysh ndryshimet jo vetëm në aspektin kohor, sepse jemi 22 vjet pas luftës, por edhe duke pasur parasysh përpjekjen e vazhdueshme të institucioneve të Serbisë që zhdukja, rrëmbimi i personave të gjallë dhe zhdukja pastaj edhe e kufomave ka ndodhur si përpjekje e Serbisë për të fshehur gjurmët e krimit”, shton Gara.

Kthimi në Kosovë i trupave të shtatë viktimave nga masakra e Rezallës dhe dy ribashkimet e eshtrave shënojnë përfundimin e punës në Kizhevak, e cila është varreza e pestë masive e identifikuar në Serbi nga paslufta.

E zbuluar në vitin 2001, varreza masive e Batajnicës është më e madhja, në të cilën janë gjetur 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës. Po në këtë vit, pranë liqenit në Peruqac është gjetur një varrezë masive me mbetjet mortore të 84 personave, derisa 61 trupa ishin gjetur edhe në Petrovo Selo. Më 2013 në varrezën masive të Rudnicës ishin gjetur mbetjet mortore të 52 civilëve shqiptarë.

Gjithsej, nga viti 1999 në Serbi janë gjetur të varrosur afro një mijë trupa të shqiptarëve të Kosovës. Derisa të zhdukur konsiderohen edhe mbi 1 mijë e 600 persona.