Një kartë identiteti është gjetur në mesin e eshtrave të viktimave shqiptare gjatë gërmimeve në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.
Në dokument ishin të dhënat e një njeriu nga fshati Rezallë i Skenderajt, gjë që orienton se viktimat janë nga kjo pjesë.
Nga dy fazat e kërkimit në këtë vend janë gjetur kufomat e së paku 9 personave. Por së paku dy kufoma, të cilat janë gjetur në fazën e parë, në vjeshtën e vitit të kaluar është konfirmuar se janë nga ky fshat, për 7 viktimat e tjera identifikimi ende s’është bërë.
Bashkë me eshtrat e tyre janë gjetur të paktën, në një rast, pjesë të trupit të një viktime tjetër, e cila ishte identifikuar qysh para 7 vjetëve në varrezën masive në Rudnicë, që ka pak kilometra distancë nga Kizhevaku, e ku ishin gjetur 54 trupa të shqiptarëve.
Mjeku ligjor, Arsim Gerxhaliu, thekson se trupat e këtyre viktimave kanë mundur të dëmtohen edhe me tej, pasi ishin zhvarrosur nga Kosova, për t’u dërguar në varreza masive në Serbi.
“Gjatë zhvarrosjes në Kosovë me ekskavator ka marrë një pjesë, dhe pjesa tjetër është ngarkuar në ndonjë kamion tjetër, që pastaj është dhënë ndoshta një urdhër që ai kamion të dërgohet këtu ku është gjetur, siç e kemi pasur rastin e poligonit të gjuajtjes që një trup është gjetë dhe ende është i pakompletuar edhe pse është gjetur në tri lokacione me distancë prej 500 kilometër.
Punimet në Kishevak patën filluar në vitin 2015. Në këtë hapësirë ishte krijuar kodër artificiale në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.
Një gjë të tillë e kishte bërë pak pas zbulimit të varrezës masive në Rudnicë
Ende ka vetëm të dhëna preliminare për këto viktima, por ekspertë që kanë punuar në terren, kanë deklaruar që në mesin e viktimave kishte edhe persona me aftësi të kufizuara.
Pas rreth 5 vjetësh punë, kampet e improvizuara të hulumtimit janë shpërberë, e procesi i gjetjes së këtyre trupave është përmbyllur.
“Hapja e arkivave ushtarake në Beograd do të na mundësojë qe të gjejmë nëse jo gjithë, shumicën e personave të vrarë dhe lokacionet ku ata gjenden. Sepse edhe vrasjet po edhe bartja e kufomave e pastaj fshehja e tyre shihet që ka ndodhur me urdhrin e kreut më të lartë shtetëror. Pra, informatat e besueshme gjenden në arkivat ushtarake. Dhe në momentin kur ato do hapen për opinionin apo për neve si mekanizma në hulumtimin e fatit të personave të pagjetur, atëherë do të kemi shumë të lehtë t'i lokalizojmë”, ka deklaruar Ibrahim Makolli, i Komisionit për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Kosovës.
“Ne nuk kemi asnjë arsye për të fshehur ose mos lejuar ndonjë gjë në këtë kohë. Ne duam që i gjithë ky proces të zhvillohet në një mënyrë të tillë që thjesht të rivendosim besimin së pari te mekanizmi i grupit të punës, por gjithashtu t'u japim familjeve sa më shumë përgjigje sepse 1639 njerëz janë ende të pa gjetur nga Kosova, dhe kjo është diçka që, përkundër gjithçka që kemi bërë deri më tani, është shqetësuese”, tha Velko Odaloviq, kryetar i delegacionit të Serbisë.
Janë edhe 1,600 persona të pagjetur , kryesisht shqiptarë, ndërsa institucionet kanë informata që në të gjithë Serbinë janë 16 varreza masive, por vetëm 5 prej tyre janë zbuluar.