1 perditesime
18:19

Pas orës 22:00 mbërrijnë në Kosovë bashkatdhetarët e aksidentuar

Bashkatdhetarët e aksidentuar në Kroaci do të mbërrijnë sonte në Kosovë, pas orës 22:00.

Qeveria ka njoftuar se do të organizojnë transportin dhe përcjelljen e tyre nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” deri në vendbanimet e tyre.

“Ministria e Punëve të Brendshme është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e viktimave lidhur me procedurat e kthimit në Kosovë të trupave të personave që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës”, thuhet në njoftim.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me të gjitha institucionet dhe kapacitetet e veta po punon maksimalisht për t’u ofruar kujdesin dhe trajtimin e duhur bashkatdhetarëve tanë të aksidentuar në Kroaci”.

12:23

Udhëtarët dhe trupat e pajetë nga aksidenti pritet të arrijnë sonte në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se udhëtarët që kanë shpëtuar nga aksidenti me autobus i një kompanie nga Kosova, të dielën në Kroaci, do të kthehen në Kosovë me transport të linjës ajrore, të martën, pas orës 22:00.

Ministri Sveçla ka thënë për REL, se në mbrëmje pritet që në Kosovë të kthehen edhe trupat e personave që nuk arritën t'i mbijetojnë aksidentit në Slavonski Brod.

Ora e saktë nuk dihet ende, për shkak të autopsisë që po kryhet në shtetin e Kroacisë.

Trupat e pajetë do të kthehen në Kosovë me transport rrugor.

Si pasojë e aksidentit të së dielës, kanë vdekur 10 persona dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur.

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka njoftuar të martën për lirimin nga spitali të 26 personave të plagosur në aksident derisa ka thënë se 15 persona janë duke u trajtuar ende.

Njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

Disa nga personat e plagosur do të vazhdojnë të trajtohen në shtetin e Kroacisë, disa do të kthehen në Gjermani, ka thënë ministri Sveçla.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia përmes një statusi në Facebok ka konfirmuar gjithashtu kthimin në Kosovë të udhëtarëve të aksidentuar në Kroaci.

“Për momentin në spitalin e Sllavonski Brodit janë ende të shtrirë 15 bashkëatdhetarë nga të cilët dy në njësinë intenzive dhe një prej tyre është ende në gjendje të rëndë. Të tjerët janë stabil dhe jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa një pacient që ishte dërguar në spital në Zagreb, është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Gjatë ditës së sotme priten edhe lirime të tjera” ka shkruar Vitia.

Vitia më tutje ka bërë të ditur se Qeveria do të qëndroj vazhdimisht pranë për të lehtësuar dhimbjen në këto momente të vështira për të gjithë.

Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjën e rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Njëri shofer ka vdekur, ndërsa tjetri, i cili ka qenë duke vozitur, i është shqiptuar sot masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod. \REL