5 perditesime
21:01

Kurti: Kjo është ditë e rëndë për popullin e Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin e sotëm në Kroaci. Para mediave, Kurti u uroi të lënduarve shërim të shpejtë, ndërsa familjarëve të viktimave u shprehi ngushëllime. Ai tha se kjo është ditë e rëndë për vendin dhe popullin e Kosovës.

“Kjo është një ditë shumë e rëndë, me dhembje e pikëllim për mbarë popullin tonë. Jemi këtu, së bashku me ministrat dhe stafin e Presidencës për të qenë pranë udhëtarëve të cilët patën fat në këtë fatkeqësi. U shprehim ngushëllimet tona të gjitha familjeve dhe miqve të atyre 10 udhëtarëve që vdiqën sot në këtë aksident të tmerrshëm. Po ashtu, ju dëshiroj shërim të shpejtë dhe të plotë të gjithë atyre që janë lënduar rëndë e lehtë”, tha ai.

Kurti ka theksuar se Kosova varet nga bashkatdhetarët që çdo vit, qindra-mijëra prej tyre vijnë për pushime.

“Qindra-mijëra qytetarë kthehen për pushime në vendlindje, shteti ynë varet prej tyre, kjo fatkeqësi është tejet e rëndë për neve, por duke iu falënderuar përkujdesjes dhe solidaritetit, bashkë do t’ia dalim”, ka thënë ai.

Kurti potencoi se pjesa më e madhe e pacientëve nuk e kujtojnë momentin e aksidentit pas ishin në gjumë.

Tutje, Kryeministri kroat Andrej Plenkoviqi ka deklaruar se 70 për qind e pacientëve janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ndaj tyre “do të ketë trajtim të duhur shëndetësor”.

Ai ka theksuar se “së bashku do të punojmë për ta tejkaluar këtë sfidë”.

20:37

Kurti viziton të mbijetuarit në spitalin e Brodit

Me të arritur në Kroaci, kryeministri Albin Kurti ka shkuar në spitalin e Slavonski Brod, aty ku po trajtohen të mbijetuarit e aksidentit tragjik që ndodhi sot.

Kurti ishte i shoqëruar nga kryeministri kroat Andrej Plenkoviq gjatë vizitës në spital.

20:10

Kurti arrin në Kroaci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arritur në Slavonski Brod, vendin ku ndodhi aksidenti i rëndë ku mbetën të vdekur 10 persona dhe u lënduan dhjetëra të tjerë.

Kurti u prit nga kryeministri kroat, ndërsa ishte i shoqëruar nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe shefi kabinetit të Vjosa Osmanit, Blerim Vela.

Kryeministri pritet të vizitojë spitalin ku po qëndrojnë të mbijetuarit e këtij aksidenti.

Është paraparë që ai të mbajë edhe një konferencë për media në orën 20:30. 

18:44

Kryeministri kroat njofton për gjendjen, falënderon ambasadën e Kosovës

Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq ka arritur në spitalin në Brod ku ndodhen për trajtim të plagosurit nga aksidenti i sotëm tragjik.

Pasi mbërriti në Brod, para mediave, kryeministri Plenkoviq njoftoi për gjendje dhe falënderoi ambasadën e Kosovës për bashkëpunimin dhe institucionet e tjera.

"Falënderoj drejtorin Samardzic, falënderoj ambasadorin e Kosovës, deputetët Prljaskaj, ministrat Berosh, Bozhinoviq, të gjithë mjekët dhe infermierët të cilët bëri çdo përpjekje që sonte të presim kryeministrin e Kosovës Kurti, ministrat e tij. Qeveria dhe shërbimet kroate do të bëjnë gjithçka për të ndihmuar të plagosurit. Vetëm një nga të plagosurit është në Zagreb, ata qëndruan në spitalin në Slavonski Brod, dhe ata të cilët nuk u plagosën janë në konvikt. Me të vërtetë ishte një aksident shumë i rëndë. Ne nuk kemi pasur një aksident të tillë për shumë vite. Ne do të bëjmë gjithçka, do të shohim me kryeministrin (Kurti). Ne do të ndihmojmë kudo që të mundemi, për shpenzimet këtu, kthimin në Kosovë. Ne do të sigurohemi që të gjithë të ndihen rehat këtu," tha Plenkoviq.

Në aksidentin që ndodhi të dielën në orën 06:20, humbën jetën 10 persona. Autobusi që udhëtonte nga Frankfurti në drejtim të Kosovës, doli nga rruga dhe u përmbys. Rreth 40 persona kanë marrë lëndime, 15 prej tyre në gjendje të rëndë.

16:59

Kurti takohet me kryeministrin kroat në ora 18:00

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, do të takohet me atë të Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në ora 18:00. Plenkoviq ka anuluar pjesëmarrjen në finalen e turneut të tenistit në Umag, pasi ka udhëtuar drejt Slavnski Brod, ku po shërohen personat e lënduar në aksident.

Deri më tani raportohet për 10 të vdekur dhe disa të lënduar nga aksidenti tragjik i së dielës. Autobusi po udhëtonte drejt Prishtinës kur është aksidentuar.

15:16

Kurti bashkë me disa ministra niset për në Kroaci

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.

Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.

“Institucionet e Republikës së Kosovës që nga mëngjesi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate, të cilat kanë konfirmuar se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik. Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Shtabin Emergjent për koordinim të komunikimit të institucioneve të Kosovës dhe të Kroacisë me familjarët e bashkatdhetarëve të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Frankfurt- Prishtinë. Qeveria e Republikës së Kosovës bashkëndjenë me dhimbjen e familjeve të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik. Të lënduarit i sigurojmë se do t’u qëndrojmë afër deri në shërimin e plotë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.