Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kthyer në Kosovë së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën dhe shefin e kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Velan.
Lajmi është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës. Ndërkohë në Kroaci do të qëndrojnë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ai i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kurti vizitoi në Kroaci të dielën bashkëatdhetarët që pësuan lëndime në aksidentin e trafikut në Slavonski Brod. Pas rrokullisjes së një autobusi me targa të Kosovës të linjës Frankfurt – Prishtinë, kanë vdekur dhjetë persona e janë lënduar mbi 40.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, janë kthyer nga Kroacia, ku mbrëmë kanë vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit. Në Kroaci vazhdojnë të qëndrojnë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia për të koordinuar tutje veprimet dhe të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik”, thuhet nga Qeveria e Kosovës.
Në nder të 10 jetëve në Prishtinë, u ndezën qirinj. Ndërsa sot është ditë zie në Kosovë.