Arbëri

Kurti fton liderët e opozitës për “bashkërendim për çështje me interes të Kosovës”

Descriptive Text

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvend, Enver Hoxhajt të PDK-së, Lumir Abdixhikut të LDK-së dhe Ramush Haradinaj të AAK-së.

Sipas njoftimit, takimet do mbahen për çështje me interes të Kosovës.

“Takimet planifikohet të mbahen gjatë fillimit të javës së ardhshme, sipas orareve të përshtatshme për të gjitha palët, dhe do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Nuk dihen temat konkrete për çka do të flitet, megjithatë Kurti pati thënë më herët se do të bëhej një diskutim i brendshëm për atë që është arritur në procesin e deritanishëm të dialogut Kosovë-Serbi.

Në fillim të këtij muaji, ai pati thënë se para se të nisë takimet me palën serbe, duhet të ketë dialog të brendshëm me partitë opozitare. “Ne nuk jemi Qeveri e cila zhvillon dialog me Serbinë pa e bërë dialogun në Kuvendin e Republikës”, pati thënë ai.