Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se para se të nisë takimet me palën serbe në kuadër të dialogut, duhet të ketë dialog të brendshëm me partitë opozitare.
Ka thënë se takimin e parë me palën serbe do ta zhvillojë në muajin qershor.
“Do të kemi një darkë pune me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, më 18 maj. Takimi më 11 maj s’mbahet sepse mbahen vetëm takimet kur pajtohemi të gjithë dhe e kemi lënë që takimi i tillë të mbahet dikur në muajin qershor. Ditë përpara asaj date do të njoftoheni. Temat e diskutimit mund të vijnë në shprehje vetëm kur të pajtohen dy palët. S’ka tema që janë të vetëm njërës palë. Kemi gjëra të tjera para se të arrijmë aty. E para është diskutimi i brendshëm me opozitë e edhe një lloj radiografie e gjendjes së dialogut në raport me Serbinë, përkitazi me procesin e deritashëm dhe marrëveshjet e arritura”, ka thënë ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
“Ne nuk jemi Qeveri e cila zhvillon dialog me Serbinë pa e bërë dialogun në Kuvendin e Republikës”, ka thënë ai.
“Takimi që zhvillohet në Bruksel nuk është dialog me Serbinë. Do të jemi 6 liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në muajin maj nuk pritet takim e lëre më kapitull i ri i dialogut me Serbinë. Prioritet e kemi çështjen e programit qeverisës, duhet ta diskutojmë edhe në Kuvend. Gjatë muajit maj padyshim që do t’i zhvilloj takimet me kryetarët e partive opozitare. Duhet ta shoh agjendën se kur mund t’i zhvilloj sa më parë. Përgatitjet tona nuk i shohim vetëm si listë fituese, por i shohim si zyrtarë, si përfaqësues, si krerë shtetërorë të cilët janë të përgjegjshëm, por edhe e kanë detyrë që të krijojnë konsensus nacional për një çështje kaq të rëndësishme”, ka shtuar Kurti.
Edhe
Kurtit nuk i ngutet për dialogun me Serbinë
Ai ka thënë se Qeveria që udhëheq tashmë ka nisur punën për përgatitjen e padisë për gjenocid të Serbisë në Kosovë.
Ka thënë se përgatitjet “janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”.
“Qeveria e Republikës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë sonë e plagëve të hapura të qytetarëve dhe ndaj ardhmërisë sonë që kërkon shtet të drejtë. Dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se për kthimin e masës së reciprocitetit i duhet të përgatisë një raport për shkeljet që po bën Serbia.
Edhe
Kurti pret që në takimin me Vuçiqin të shprehen ide se si të ecet përpara me dialogun
“Edhe herën e kaluar kur isha kryeministër, patën kaluar dy muaj deri kur e vendosëm reciprocitetin, dhe atë gradual. Ne nuk duam t’i befasojmë faktorët ndërkombëtarë, por t’i njoftojmë me kohë e ti përgatisim”, ka deklaruar ai.
Për mungesën e platformës për dialog, Kurti ka thënë se “s’është për ngut”.