14 perditesime
16:47

Opozita lëshon sallën për shkak të mospjesëmarrjes së Kurtit në seancë

(KosovaPress) - Mospjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti në seancën ku po diskutohet programi i qeverisë për vitin 2021-2024, ka bërë që disa deputetë nga partitë opozitare të largohen nga seanca.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se të hënën ishin dakorduar që kryeministri të jetë në Kuvend rreth orës 12:00, porse kjo nuk ka ndodhur.

Gashi tha se nëse do të vijë Kurti në Kuvend edhe ata do të kthehen.

“Ditën e hënë kur u pajtuam që kjo seancë të vazhdojë sot, u njoftuam se kryeministri do të jetë rreth orës 12 në Kuvend sepse do të kthehej nga vizita në Bruksel dhe për atë arsye u pajtuam. Sot pjesën e parë meqenëse ndoshta udhëtimi është vonuar, është lodh e kuptuam si mungesë të tij, por tash po na duket e paarsyeshme që ne me vazhdua me qëndrua në sallë edhe mos me pas personin që na ka ftuar në seancë të jashtëzakonshme. Kështu që, ne nuk po kemi me kë të debatojmë. Nëse Kurti kthehet në sallë ne do të kthehemi nëse ai nuk është këtu ne po vazhdojmë në zyrat tona në Kuvend derisa kryeministri Kurti të kthehet në sallë”, tha ai.

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se përderisa në sallë ndodhet zëvendëskryeministri, janë kushtet për të vazhduar seanca.

“Përderisa zëvendëskryeministri është këtu dhe përfaqësuesit e qeverisë mendoj se janë gjitha kushtet për të vazhduar seanca, ashtu siç është e paraparë”, tha ajo.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk ia vlen të vazhdohet ky debat në këtë formë.

14:58

​Shala: Programi i Qeverisë Kurti ka 15 gabime gjuhësore në 14 rreshta

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala në debatin rreth programit qeverisës, tha se për këtë qeveri 14 shkurti nuk do të përfundojë deri në fund të mandatit të saj, pasi sipas tij, kjo qeveri është populiste.

Deputeti i LDK-së tha se programi i Qeverisë Kurti 2 nuk është i pranueshëm për shkak se në 14 rreshta ka 15 gabime gjuhësore.

“Programi i qeverisë është dokumenti themelor’, kjo është absolutisht e saktë, në mënyrë absolute, ‘me të cilin qeveria komunikon vizionin e saj para qytetarëve të Republikës së Kosovës për qeverisen e saj’, kjo nuk ka kurrfarë kuptimi, po ka kuptim për këtë qeveri sepse është populiste. Mos i kërkoni kësaj qeverie të mos flasë për rezultatin e zgjedhjeve, për një qeveri që projekton dhe do të punojë 14 shkurti do të ishte shumë larg. Për këtë qeveri, 14 shkurti nuk do të përfundojë në asnjë ditë deri në ditën e fundit të mandatit, sepse qeveri të tilla bëjnë fushatë sistematike çdo ditë, ky është profili ideologjik i tyre”, tha ai.

Shala tha se ky nuk është një program për demokraci parlamentare dhe për një organizim liberal.

“Ky nuk më duket një program për një demokraci parlamentare dhe për një organizim liberal. Ky program, këto projeksione nëse Qeveria e Kosovës do të arrijë t’i përmbushë kështu Kosovën do ta kthejnë në një organizim politik krejt tjetër nga ky që është. Unë nuk e besoj që qytetarët e Kosovës i kanë kërkuar LVV-së dhe partnerëve të saj të ribëjnë shtetin e Kosovës, por të qeverisin më mirë sasa të tjerët”, tha Shala.

14:12

Ismaili – Bislimit: Nuk ke qenë as në listë, nuk mund të na thuash ne se çka përfaqësoni

Deputeti i PDK-s, Uran Ismaili, ka kritikuar zv.kryeministrin Besnik Bislimin, duke thënë se po i qaset debatit në mënyrë ofenduese.

“Po më vjen keq që po i qasesh debatit në mënyrë ofenduese duke tentuar ta ulësh vlerën e diskutimit tonë. Të na thuash neve që nuk kemi rëndësi ti që nuk je zgjedhë, ti as në listë s’ke qenë nuk mund të na thuash neve se çka përfaqësoni ju. Ne së paku përfaqësojmë guximin qytetar me ardh e me kritiku një program që nuk është për qytetarët”, ka thënë Ismaili në Kuvend.

E Hykmete Bajrami e LDK-së ka kritikuar sa i përket shtesave për fëmijë, duke thënë se nuk dihet ku do të merren mjetet për to.

“Ne nuk jemi kundër shtesave, por tham vetëm se ku do t’i merrni kur buxheti për 2022 do të rritet vetëm për 74 milionë, ndërsa vetëm shtesat e fëmijëve kushtojnë rreth 60 milionë euro”, tha Bajrami. “4 vjet nuk mund të vajtoni për 20 vjetët e kaluara. Qytetarët nuk ju kanë votuar për të treguar se çka kanë bërë qeveritë e kaluara”.

Bislimi në anën tjetër i është kundërpërgjigjur Ismailit.

“Z. Ismaili për dy ditë radhazi keni thënë ky program s’vyn gjë, tash po don diskutim me mua dhe pret të të them pajtohem me kritikat e tua. Nuk qon peshë sa vota i ke, veç po du me thënë se me këtë program kemi konkurruar në zgjedhje, nuk do të ketë lëvizje nga ai, nëse nuk e përmbushim qytetarët mund të na dënojnë”, tha Bislimi.

14:03

Bislimi e quan Gashin mjeshtër të shpifjeve

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se asnjëherë nuk ka ndodhur më herët që një zëvendëskryeministër nuk iu tregon deputetëve se si një plan do të kthehet në plane specifike.

“Me dalë para qytetarëve me thanë që janë shpenzuar ilegalisht 53 milionë euro edhe mos me shku me denoncu është e palogjikshme. I duhet qetësi është z kryeministër, duhet të veprojë me qetësi jo me ju turrë kështu Kuvendit”, ka thënë ai.

Bislimi duke ju përgjigjur i ka thënë se ai është mjeshtër i shpifjeve e i keqinterpretimeve.

“Nuk ka ndodhë në të kaluarën që dikush t’i ketë 50 për qind të votave. Për atë po them se jeni mjeshtër i shpifjeve e keqinterpretimeve. Sot kemi diskutuar programin qeverisës për këtë ju flas e nuk ju flas për planin tim javor”, ka thënë ai.

13:55

Gashi: Është e palogjikshme të thuhet janë hargjuar 53 milionë euro ilegalisht e të mos denoncohet

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka kritikuar zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, duke thënë se nuk ka ndodhur kurrë në Kuvend që të dal dikush e të thotë se nuk do të kallzojë se si një program do të kthehet në plan specifik.

Ai po ashtu ka thënë se është e palogjikshme të thuhet se janë hargjuar ilegalisht 53 milionë euro e të mos denoncohet kjo.

“Me dalë me i thënë Kuvendit që unë s’ju kallëzoj juve se si një program do të kthehet në plan specifik nuk ka ndodhë kurrë, por gjithsesi zv.kryeministër po vepron kështu. Me dalë para qytetarëve me thënë se janë hargju ilegalisht 53 milionë euro dhe mos me shku me denoncu është e palogjikshme. I duhet qetësi, është zëvendëskryeministër, duhet të veprojë me qetësi e jo me ju turrë kështu Kuvendit”, tha Gashi në Kuvend.

13:48

Bislimi i falënderon deputetët që e quajtën programin “fontanë dëshirash”

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka falënderuar të gjithë deputetët të cilët programin qeverisës e kanë cilësuar si program dëshirash. Ai ka thënë se në brendësi ky cilësim thotë se programi vlerësohet jashtëzakonisht i mirë.

“Kur e kemi dizajnuar programin nuk ka qenë objektiv me sjellë program që e pëlqen opozita por kemi sjellë program me te cilin kemi fituar në zgjedhje, qytetarët kanë votuar për këtë program. Ne nuk kemi bërë raport të punës 4-vjeçar por synim për katër vjetët e ardhshme pas katër vjetëve mund të kritikoni”, ka thënë ai. “Ju po i prezantoni shqetësimet tuaja si shqetësime të qytetarëve a vetë qytetarët e kanë votuar këtë projekt. Nuk është marre me prezantu program, nuk është marre kjo, marre është me qenë ministër e shef i grupit parlamentar e mos me dit me shkru emrin tënd”.

Deputeti Abelard Tahiri ka thënë se do të ishte normale nga Bislimi të dilte me një përmbyllje dhe jo të tallej me deputetët.

“Ti do të duhej me dalë me fol për projekte ekonomike, ju nuk thatë asgjë u tallët me deputetët që është marre për ju. Shumë e dobët ka qenë ekspozeja e kryeministrit për programin”, ka thënë ai.

13:18

Krasniqi: Programi qeverisës nuk përmban synime e objektiva konkrete

Nënkryetari i PDK-së Memli Krasniqi tha në seancën plenare ku po diskutohet programi qeveritar se është hera e parë që Kuvendi trajton një program qeverie i cili nuk përmban synime e objektiva konkrete e të matshme, që nuk ka një plan veprimi konkret e që nuk ka as një plan kohor për realizimin e atyre pak projekteve që janë pjesë e tij.

“I keni sjellë këtu 60 faqe, të shkruara për gati 60 ditë qeverisje, pra e keni përgatitur mesatarisht 1 faqe tekst në ditë, duke e pas një kabinet qeverisës me gati 20 anëtarë e qindra këshilltarë. Dhe s’do të ishte problem sikur këto faqe të prezantonin një vizion të qartë qeverisës për një mandat të plotë, e që për fat të keq nuk e ofrojnë”, tha Krasniqi.

Ai tha se programi i qeverisë Kurti 2 shpërfaq mungesën e kompetencës, të koherencës, por edhe të mbamendjes institucionale.

Krasniqi tha se në 20 mijë fjalë të programit qeverisës të Albin Kurtit, askund nuk figurojnë fjalët ‘veteran’, ‘invalid i luftës’, ‘i burgosur politik’, ‘persona të pagjetur’ e as fjala ‘dëshmor’.

“Së paku, nuk kam pritur që Programit tuaj do t’i mungojë bazamenti ideologjik, por ky program është një mishmash ideologjik. Në fakt, programi i juaj nuk ka as një qasje pragmatiste, që rëndom është azili i qeverive pa një koncept të qartë ideopolitik. Dhe kjo vërtetë është befasuese kur vjen nga një Kryeministër me bindje të qarta majtiste”, tha Krasniqi.

Ai tutje tha se programi qeveritar nuk përmban asnjë indikator ekonomik, vizion e as planifikim.

“Ju nuk keni planifikuar thuaja asgjë konkrete as për mbështetjen e sektorit privat që është dërmuar nga pandemia. Nuk keni përmendur asgjë konkrete për masat stimuluese e mbështetëse për bizneset që kanë pësuar, as në sektorët e gastronomisë, të hotelierisë, të ndërtimtarisë apo të shërbimeve. Nuk keni planifikuar as ndërtim të shkollave e të spitaleve. As për Spitalin e Prishtinës nuk keni thënë asgjë, projektin për të cilin e keni të gatshëm”, tha Krasniqi. “Nuk keni bërë asnjë plan për vazhdimin e ndërtimit të shtëpive për shqiptarët e zhvendosur dhunshëm nga veriu i Mitrovicës. Por, po ashtu duket se keni hequr dorë edhe nga rishikimi i demarkacionit me Malin e Zi, ashtu siç e parasheh Ligji i miratuar nga ky Kuvend. Pse, z.Kryeministër nuk e keni në program asnjë fjalë as për Çakorrin, as për Zhlepin. E kur thoni se ky program është derivat i programit tuaj zgjedhor, vetëm një shembull po ua përmend: ju e keni larguar nga programi funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës, për të cilin keni dhënë premtime elektorale. Dhe, shembuj të tjerë të ngjashëm ka mjaft”, tha Krasniqi.

Ai tha se ka sektorë të cilët nuk janë trajtuar fare në program, por edhe aty ku ka disa plane, më shumë janë ngritur pyetje se që janë ofruar përgjigje.

“Ta zëmë, në sektorin e kulturës, keni planifikuar themelimin e institucioneve të reja të nivelit kombëtar, shprehimisht Teatrin e Ri Kombëtar, Teatrin e Operas dhe Baletit, Muzeun e Artit Bashkëkohor. Përtej dëshirave, si do të bëhen këto? A do ta shuani Teatrin Kombëtar të Kosovës? A do ta shuani Baletin Kombëtar dhe Filharmoninë e Kosovës? Ku do të jetë ndërtesa e Muzeut të Artit Bashkëkohor? Tutje, Fondi Kulturor i projektuar në bashkëpunim me skenën e pavarur kulturore, që është një ide shumë e mirë, a do të ketë fonde të reja financiare apo do të jetë zëvendësim i fondeve ekzistuese të MKRS-së?”, tha Krasniqi.

13:13

Bajrami e Haxhiu debatojnë për rastin e 2.1 milionë eurove

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duhet ta autorizojë Prokurorinë të hetojë rastin e 2.1 milionë eurove.

Ajo drejtuar deputetëve të VV-së ka thënë se nuk mund të mundohen që t’ia mbyllin gojën me rastin e 2.1 milionë eurove.

“Unë sot ju drejtohem mbështetësve të Vetëvendosjes. Hykmete Bajrami jeton në Prishtinë dhe nuk fshihet. Ministrja e Drejtësisë dje tha e kam autorizuar Prokurorinë për të hetuar rastin e drogës. Është mirë të autorizohet Prokuroria të hetojë rastin e 2.1 milionë eurove. Zbardheni këtë rast e mos u mundoni me ma mbyllë gojën me 2.1 milionë. Ju që i keni tash në dorë krejt nivelet e pushteti pastrojeni këtë rast por mos provoni të ma mbyllni gojën sepse jam e pastër”, ka thënë ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se si ministre nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështjet e Prokurorisë.

“E nderuar deputete më vjen keq që nuk jeni në dijeni për përgjegjësitë e ministrit të drejtësisë. Ministri i Drejtësisë në asnjë rast nuk ka të drejtë të autorizoj Prokurorinë për të bërë hetime. Një rast flagrant ka ndodhur kur ish-kryeministri Haradinaj i pati kërkuar Elez Blakajt me afat 30 ditë për të kryer hetimet. Ajo që kam thënë unë është që sipas ligjit Ministri i Drejtësisë në këtë rast unë, autorizon autoritetet tjera për hetim nga Italia ata kanë qenë në Kosovë me autorizimin tim sepse ndryshe do të ishte e pamundur. Uroj që kjo të jetë hera e fundit që ju shpifni në foltoren e Kuvendit”, ka thënë ajo.

13:06

Ismaili: Programi i qeverisë për shëndetësinë është vetëm për ministrin Vitia, vetëm ai e kupton

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka kritikuar programin e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke thënë se ai nuk prezanton kërkesat e qytetarëve dhe as nuk trajton të ardhmen e tyre.

Ismaili në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës, tha se programi i prezantuar nga Qeveria Kurti nuk është konkret, nuk ka afate kohore e as plan për implementim. Ai tha se në mungesë të vizionit, qeveria ka zgjedhur një program për t’i ikur përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

Kritikat më të mëdha i pa pasur për programin e qeverisë në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë, ku për këtë të fundit tha se e kupton vetëm ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Jemi në një gjendje të vështirë tepër, me 340 mijë nxënës të cilët do të dalin të pashkolluar dhe jo të gatshëm për tregun e punës. Çka ka programi qeverisës, asgjë, ama asgjë fare. Kur dilni të lavdëroni programin qeverisës, ju kisha lutur të paktën jepeni edhe kritikën ku ka nevojë me qenë. Në krizën më të madhe të shëndetësisë, kur ekziston një pajtueshmëri jashtëzakonisht e madhe që duhet të ketë investime, duhet të jetë shëndetësia prioritet çka ndodh, Vitia na sjell një program me një faqe, jo një fletë, një faqe. Në këtë program përmendet një herë qytetari dhe një herë pacienti, kaq. Sepse ky program nuk është bërë as për pacientë e as për qytetarë. Realisht dhe fatkeqësisht, ky program nuk është bërë as për mjekët, as për infermierët as për profesionistët shëndetësor. Ky program është vetëm për ministrin Vitia, vetëm ky po e kupton. Kur e lexon këtë program, ti duhesh të mendosh çka ka menduar ky për ta realizuar, nuk ka asgjë për brengat e qytetarëve, nuk ka asgjë për shqetësimet e profesionistëve shëndetësor”, tha ai.

Ismaili tha se në mungesë të vizionit, Qeveria Kurti 2 do t’i ngecë edhe ato projekte të mira, të cilat tha se janë nisur.

12:43

Përplasen Bajrami e Uka për reformën në arsim

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami ka thënë se ata nuk e kundërshtojnë reformën në arsim.

“Sa i përket arsimit asgjë nuk marr personale, marr vetëm aq sa merr Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti sepse atë e kam pasur kryeministër. Ju vetë e keni lënë vendin pa liberalizim të vizave. Ne nuk kundërshtojmë reforma në arsim. Reformat në arsim japin rezultat pas 15 viteve” ka thënë ajo në seancën e Kuvendit.

Por deputeti i VV-së Fitim Uka ka replikuar me Bajramin duke i thënë se nuk mund të barazohen ditët e qeverisjes Kurti me 21 vitet e qeverisjes së kaluar.

“Unë nuk fola për 3 milionët që kanë humbur në qeverinë e kaluar nuk e kuptoj këtë reagim. Ajo që thash është plotësisht e qëndrueshme dhe jam i gatshëm ta dokumentoj në çfarëdo forme që të dëshironi. Nëse ju pretendoni që 51 ditë të qeverisë Kurti janë të barabarta me 21 vjetët e keq menaxhimit tuaj, nuk kam çfarë të flas”është shprehur ai.

12:36

Uka: Kemi trashëguar punë nga një qeveri ilegale

“Meqë kritika e opozitës është më shumë lakmi për pushtet na ka renë neve hise që ta bëjmë edhe analizën e programit edhe kritikën qëllim mirë. Do të ishte shumë e lehtë nëse qeveria do të trashëgonte punë të mirë por kjo qeveri trashëgon punën nga një qeveri ilegale” ka thënë deputeti i VV- Fitim Uka në seancën e Kuvendit.

Uka më tutje ka vazhduar me kritika ndaj opozitës.

“”Ku keni qenë ju deri sot ju, ju keni qenë këtu keni shkruar e lexuar programe. A mund të na tregoni sa përqind të programeve tuaja i keni realizuar” ka thënë më tutje ai.

Uka gjatë fjalimit të tij ka folur se si në për herë të parë reformën në arsim e kanë nisur nga fëmijëria e hershme.

“Përfshirja e punëtorëve socialë e psikologëve në shkolla do të mundësojmë me këtë qeveri. Duke angazhuar ata qeveria adreson shqetësimin e nxënësve sidomos ngacmimet, dhunën, duhanin e drogën në shkolla. Jam i bindur që për shumë reforma nuk ka nevojë për buxhet të madh por vetëm për vullnet e kreativitet. Ka ndryshuar fokusi nga arsimi i lartë në të gjitha nivelet e arsimit duke filluar nga fëmijëria e hershme” është shprehur Uka.

12:33

Haliti: Programi i qeverisë duket më shumë si dëshirë

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë programi qeverisës është më tepër dëshirë. Haliti në Kuvend ka thënë se ka pritur nga Qeveria e re të bisedohej dhe të realizohej një plan 20-30-vjeçar për zhvillimin e Kosovës në të gjitha fushat.

“Këto dy ditë, por edhe më herët, i kam përcjellë mendimet edhe për programin, por edhe paraqitjen e qeverisë. Kam menduar që si parti, si Qeveri e re kam menduar që do të bisedojmë bashkë dhe do të realizonim një plan 20-30-vjeçar për zhvillimin e Kosovës në të gjitha fushat. Duke marrë parasysh resurset dhe kapacitetet profesionale që kemi. Tash shoh një kabinet me deputetë që kanë qenë këtu në sallë, nuk po du të ofendojë askënd, por nuk e di çfarë asistence ka pasur programi nga ta sepse programi në tërë është më shumë dëshirë.

Haliti ka thënë edhe ka folur se nuk po sheh plane për zhvillime të turizmit malor.

“Më ka bërë përshtypje diskutimi i ministrit të Ambientit, por nuk e pashë te diskutimet për zhvillimin e turizmit malor, çka mendoni? Plani nënkupton projekte të veçanta nga Qeveria, fshatra turistike malore dhe kjo do të sillte zhvillime të tjera më pastaj. Tjetër është mbrojtja e ujëvarave, në veçanti ujëvara e Drinit të Bardhë, për shkak të ndërtimit pa leje dhe vjedhja e rrjedhës së ujit për të ndërtuar një hidrocentral i cili është privatizu nga një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosjes. Desha të ndalem tek hidrocentralet që nuk jam dakord as me qeveritë e kaluara, por mendoj që Drini dhe Bistrica të mbesin ashtu siç janë turistike pa investime në hidrocentrale”, tha ai.

Ai ka folur edhe për vettingun, duke thënë se ka tendencë të merret nën kontroll sistemi i drejtësisë. 

“Kur flitet për vettingun kam përshtypjen se njerëzit ose elektorati dhe mendësia e disa këtu i sheh hekurat e burgut, ose prangat në duar të dikujt. Unë jam ithtar i vettingut, por ne e kemi parë, e kemi kaluar një herë vettingun në drejtësi, por ai nuk ka qenë i suksesshëm.Mënyra qysh po prezantohen është një tendencë për ta marrë në kontroll drejtësinë dhe për t’i dhënë mundësi pastaj opozitës për ta akuzuar qeverinë për kapje të shtetit, ashtu siç na keni akuzuar neve për nja 10 vjet”, tha ai.

11:35

Deliu-Kodra për programin qeverisës: Qeveri pa plan e pa vizion

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se programi që ka sjellë Qeveria nuk i përngjan aspak një programi implementues, duke shtuar se nuk ka as afate kohore e as kosto buxhetore.

Sipas saj, është më pak program synimesh e më tepër program dëshirash.

“E keni filluar mbrapsht opozitën duke shantazhuar opozitën në orët e vona të natës duke sjellë ligjin për qeverinë. Mënyra sesi Qeveria Kurti ka menaxhuar me pandeminë flet mirë se si kjo qeveri i trajton qytetarët. Shëndetin e qytetarëve e ka lënë tërësisht në mëshirë të donatorëve. Po hyjmë në muajin e 6 dhe vetëm 2.5 për qind e qytetarëve janë vaksinuar. Programi ka shumë kontradikta. Një qeveri që gjobit qytetaret për masat e pandemisë e ndërkohë që në pikun e pandemisë ka organizuar tubime zgjedhore. Një qeveri pa plan pa vizion. Krejt çka do të mbahet mend gjatë kësaj kohe është ndarja e 11 milionëve për veriun e Kosovës. Derisa në program nuk thuhet asnjë fjalë se si do ta shtrijë qeveria ndikimin në pjesën veriore. As një fjalë për veriun”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se në program përmendet anëtarësimi në Bashkimi Evropian e NATO po nuk përmendet anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe ka shumë mundësi.

Deliu ka thënë se nuk përmendet askund Marrëveshja e Washingtonit ndonëse nga Vetëvendosje ka pasur deklarata që e kanë kontestuar këtë marrëveshje. Sipas saj, Kurti duhet njëherë e përgjithmonë ta qartësojë pozicionin e tij.

11:22

Nis vazhdimi i seancës për programin e Qeverisë

Me rreth 20 minuta vonesë ka nisur vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për programin e Qeverisë Kurti.

Aktualisht kryeministri Albin Kurti nuk është në sallën e seancave.

08:10

Sot në Kuvend vazhdon seanca për programin qeverisës

(KosovaPress) - Deputetët mblidhen sot në Kuvend për vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme së prezantimit të programit të Qeverisë së Kosovës për vitet 2021-2025.

Seanca do të fillojë në ora 11:00.

Të hënën para deputetëve kryeministri i Kosovës, Albin Kurti prezantoi programin qeverisës për katër vjetët e ardhshëm. Derisa sa e quajti programin projektim të modelit të shoqërisë që duam ta ndërtojmë, ai renditi prioritetet katërvjeçare para të zgjedhurve të popullit, duke theksuar edhe se i njëjti është reflektim i premtimeve në fushatën zgjedhore dhe premtimeve ndaj të ardhmes.

Ai në foltoren e Kuvendit iu kërkoi opozitarëve bashkërendim karshi dialogut me Serbinë, për të cilin tha se do të jetë parimor. Derisa premtoi qe vendi është në rrugë të mirë për imunizimin e 60 për qind të popullsisë deri në fund të vitit 2021. Krahas këtyre, Kurti premtoi investime në shëndetësi, arsim, skema sociale dhe zhvillim ekonomik.

Duke folur për programin në aspektin shëndetësor, Kurti tha se do ta reformojnë sistemimin shëndetësor.

Lidhur me arsimin, Kurti tha se do të investojnë në 160 çerdhe dhe punësimin e pedagogëve të rinj.

Të zgjedhurve të popullit, Kurti iu premtoi formalizim të ekonomisë dhe tregoi arsyet e krijimit të fondit sovran dhe bankës zhvillimore.

Kurti foli edhe për prioritet në drejtësi, ku edhe u zotua për padinë ndaj Serbisë për gjenocid.

Programin e Qeverisë Kurti II e konsideruan sipërfaqësorë dhe jopërmbajtësorë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku deklaroi se ky program nuk ka as argument dhe as ide të fjalës.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, deputeti Enver Hoxhaj ka thënë se program i Qeverisë Kurti, i prezantuar në Kuvendin e Kosovës, është program më i dobët ndonjëherë dhe do të mbahet mend për pasaktësi dhe mungesë të llogaritjeve reale.

“Ky është një program mediokër, është një paçavër”, ka thënë Hoxhaj pasi ka komentuar programin qeverisës të prezantuar nga kryeministri Kurti.

Kurse Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri e ka quajtur vetëm deklaratë politike programin qeverisës të prezantuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme që u mbajt të hënën.

Tahiri ka thënë se program i prezantuar nga shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, nuk paraqet masa konkrete për asnjë prej problemeve të cilat presin zgjidhje.