(KosovaPress) - Deputetët mblidhen sot në Kuvend për vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme së prezantimit të programit të Qeverisë së Kosovës për vitet 2021-2025.
Seanca do të fillojë në ora 11:00.
Të hënën para deputetëve kryeministri i Kosovës, Albin Kurti prezantoi programin qeverisës për katër vjetët e ardhshëm. Derisa sa e quajti programin projektim të modelit të shoqërisë që duam ta ndërtojmë, ai renditi prioritetet katërvjeçare para të zgjedhurve të popullit, duke theksuar edhe se i njëjti është reflektim i premtimeve në fushatën zgjedhore dhe premtimeve ndaj të ardhmes.
Ai në foltoren e Kuvendit iu kërkoi opozitarëve bashkërendim karshi dialogut me Serbinë, për të cilin tha se do të jetë parimor. Derisa premtoi qe vendi është në rrugë të mirë për imunizimin e 60 për qind të popullsisë deri në fund të vitit 2021. Krahas këtyre, Kurti premtoi investime në shëndetësi, arsim, skema sociale dhe zhvillim ekonomik.
Duke folur për programin në aspektin shëndetësor, Kurti tha se do ta reformojnë sistemimin shëndetësor.
Lidhur me arsimin, Kurti tha se do të investojnë në 160 çerdhe dhe punësimin e pedagogëve të rinj.
Të zgjedhurve të popullit, Kurti iu premtoi formalizim të ekonomisë dhe tregoi arsyet e krijimit të fondit sovran dhe bankës zhvillimore.
Kurti foli edhe për prioritet në drejtësi, ku edhe u zotua për padinë ndaj Serbisë për gjenocid.
Programin e Qeverisë Kurti II e konsideruan sipërfaqësorë dhe jopërmbajtësorë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku deklaroi se ky program nuk ka as argument dhe as ide të fjalës.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, deputeti Enver Hoxhaj ka thënë se program i Qeverisë Kurti, i prezantuar në Kuvendin e Kosovës, është program më i dobët ndonjëherë dhe do të mbahet mend për pasaktësi dhe mungesë të llogaritjeve reale.
“Ky është një program mediokër, është një paçavër”, ka thënë Hoxhaj pasi ka komentuar programin qeverisës të prezantuar nga kryeministri Kurti.
Kurse Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri e ka quajtur vetëm deklaratë politike programin qeverisës të prezantuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme që u mbajt të hënën.
Tahiri ka thënë se program i prezantuar nga shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, nuk paraqet masa konkrete për asnjë prej problemeve të cilat presin zgjidhje.