Videoja me të cilën pretendohet ngacmimi seksual i një të miture nga individë që po ashtu janë të mitur, ka shqetësuar opinionin publik. Shkolla, në oborrin e së cilës supozohet të ketë ndodhur rasti, është në dijeni e po e trajton atë “brenda shkollës”. Autoritetet kanë kërkuar kujdes në trajtimin e rastit, përderisa ekspertë të çështjeve sociale kanë thënë se është koha që me urgjencë të trajtohet jo vetëm rasti, por edhe fenomeni
Në heshtje është bërë përpjekje të kalohet një rast i pretendimit për ngacmim seksual të një vajze në oborrin e një shkolle në Prishtinë. Teksa autoritetet kanë thënë se po e trajtojnë kësisoj për shkak të ndjeshmërisë, nga drejtoria e këtij institucioni kanë deklaruar se rasti po trajtohet “brenda shkollës”.
Por, përtej rastit konkret, nga psikologë e ekspertë të çështjeve sociale konsiderohet se të tilla ngjarje duhet të trajtohen me urgjencë jo vetëm rasti konkret, por si fenomen. Po ashtu, është kritikuar edhe qasja e institucioneve.
Një video e publikuar të shtunën nga portali “Syri.net”, e në të cilën shiheshin disa të mitur tek e mbanin një vajzë rreth moshës shtatëvjeçare, e ngacmonin dhe e filmonin, ka shpërfaqur fenomenin që për ekspertët meriton vëmendjen e menjëhershme të publikut.
Për rastin, Policia ka thënë se e ka pranuar informacionin nga zyrtarët e shkollës, emrin e së cilës nuk ia përmendin as autoritetet, për shkak të ndjeshmërisë.
Por në orët e vona të së shtunës, ka qenë vetë shkolla që ka dalë me reagim e sqarim për opinionin, në faqen e vet zyrtare në rrjete sociale.
Sipas Policisë me rastin po merren Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe Prokuroria e Shtetit.
“Për shkak të moshës së personave të përfshirë në këtë ngjarje dhe rrethanave specifike, me rekomandim të prokurorit, rasti po trajtohet nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Ndërkaq, nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale kanë thënë se do të ndërmarrin veprimet e tyre në bashkëpunim me akterët e tjerë.
“Tani për tani nuk mund të japim më tepër informata për rastin”, ka thënë për KOHËN Dren Kukaj, drejtor i Drejtorisë së Mirëqenies Sociale në Prishtinë.
Të heshtur rastin e ka mbajtur në reagimin e saj edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ajo ka thënë se për rastin që dyshohet se ka ndodhur në një afërsi të një shkolle në kryeqytet, s’ka informata zyrtare. Megjithatë, është zotuar se ai do të trajtohet me prioritet dhe kujdes të veçantë.
“Besoj se njëjtë do të veprojnë të gjitha institucionet kompetente. Është shumë me rëndësi që në vazhdimësi të ketë bashkëpunim të plotë në mes të shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale e institucioneve të tjera përgjegjëse. Të gjithë së bashku duhet të punojmë shumë për edukim dhe në mënyrë që t’i eliminojmë dukuritë negative nga shkollat dhe shoqëria jonë. Meqë bëhet fjalë për fëmijë të mitur, i ftoj të gjithë që të përmbahen nga çdo deklaratë dhe publikim që përmban të dhëna dhe detaje të cilat mund të dërgojnë në identifikimin e tyre”, ka thënë ajo, në një postim në Facebook.
Megjithatë, se rasti ka ndodhur kohë më parë e ka konfirmuar drejtoria e shkollës fillore, në oborrin e së cilës dyshohet se ka ndodhur. Ajo ka bërë të ditur se janë në dijeni për këtë, teksa ka theksuar se me të po merret qe dy javë.
Në një përgjigje për KOHËN, udhëheqës të shkollës kanë thënë se nga autoritetet rasti nuk është cilësuar si keqtrajtim seksual, ndërsa ka shtuar se për rastin janë njoftuar edhe familjarët të cilët s’kanë dashur të iniciojnë rast. Ai, sipas tyre, po trajtohet “brenda shkollës”. Por janë marrë edhe me mediat që e kanë publikuar videon.
Sipas drejtoreshës, “vajza që shihet në pamjet e publikuara s’është nxënëse e kësaj shkolle” e në “video është edhe vëllai i vajzës që po ashtu s’është në këtë shkollë”. E prindërit e vajzës, sipas drejtoreshës, s’kanë dashur ta denoncojnë rastin, sepse e kanë konsideruar “lojë fëmijësh”.
Në reagim të shkollës, shkruhet se “gjatë ditës kanë qarkulluar lajme me të dhëna sensitive dhe të pasakta për rastin i cili ka ndodhur jashtë procesit mësimor, në ditë vikendi, në oborrin e shkollës, i cili shërben për komunitetin ditëve të vikendit”. E në atë që është cilësuar si sqarim, po kjo shkollë, shkruan se rasti është i ditur për drejtorinë e shkollës, me ç’rast janë ndërmarrë të gjitha veprimet konform protokollit arsimor”. “Njëkohësisht janë njoftuar të gjitha instancat kompetente për trajtimin e rastit, përfshirë Policinë e Komunitetit dhe Qendrën për Punë Sociale, të cilët e kanë trajtuar rastin. Sipas udhëzimeve të prokurorisë, marrë parasysh moshën e fëmijëve, kërkohet që rasti të trajtohet me konfidencialitet të plotë dhe në formë profesionale. Andaj, kërkojmë nga mediat që të kenë kujdes në raportimin e rastit dhe të mos shpërfaqin të dhëna sensitive që mund të rëndojnë situatën e fëmijëve”, shkruhet në sqarim.
Por, kjo qasje e institucioneve po kritikohet nga njohës të fushave sociale.
Psikologia Genta Jahiu, ka thënë se shoqëria dhe institucionet duhet të reagojnë me urgjencë ndaj këtyre rasteve, me qëllim që nxënësit të mos ndihen të rrezikuar dhe parandalimi të jetë më i shpejtë. E se vendi nuk guxon që rastet e tilla t’i mbajë të heshtura, ka thënë edhe eksperti tjetër i çështjeve sociale, Vebi Mujku.
“Kjo duhet parandaluar së bashku me procesin e arsimit, me fushata kundër ngacmimeve seksuale dhe me ngritje zëri. Ne duhet të gjithë të reagojmë ndaj rasteve që raportohen për ngacmime seksuale. Një nga mënyrat është që ta ngrehim zërin të gjithë dhe të mos heshtim ndaj fenomeneve të tilla”, ka thënë Jahiu, e cila ka theksuar se futja e lëndëve shkollore siç është edukimi seksual apo ai fetar, do të jepte rezultate që nxënësit të mësoheshin që nga fillimi për këto aspekte. Ajo ka potencuar se sistemi arsimor në vend ka kuadro të nevojshme për të ligjëruar tema të tilla.
“Unë mendoj që shkollat tona kanë kuadër të duhur dhe të nevojshëm për ligjërimin e lëndës së edukimit seksual. Në aspekt të përgjithshëm, është bërë një aplikacion me emrin ‘Shneta’ që mund të shkarkohet dhe aty gjen plot mësime rreth edukatës seksuale. Në anën tjetër, mendoj se kemi kuadër që do të mund të ligjëronte gjëra që vërtet nxënësit kanë nevojë t’i dinë në këtë aspekt”, ka deklaruar më tej ajo.
Ndërsa Mujku ka thënë se rastet e tilla duhet të marrin vëmendjen nga organet e drejtësisë dhe nuk guxojnë të mbesin të patrajtuara “në mënyrë që të mos përsëriten në të ardhmen”.
Ai ka shpjeguar se si duhet të ndiqet proceduralisht një rast i cili mund të kategorizohet si ngacmim seksual. Ka thënë se fillimisht duhet të ketë referim në Polici, e cila më pas duhet ta sigurojë viktimën dhe të shoqërojë të dyshuarit.
“Menjëherë ftohet prindi apo kujdestari ligjor i fëmijës dhe Qendra për Punë Sociale përkatëse. Intervistimi i fëmijëve duhet të bëhet në prezencë të punëtorit social, por edhe të prindit. Në secilin rast të tillë, Policia pa marrë parasysh deklarimin e prindërve, duhet ta ftojë prokurorin e rastit dhe të hapë rast. Rasti i iniciuar (procesverbali i policisë) përcillet në QPS. Pas vlerësimit të rastit përpilohet plani i intervenimit nga QPS, në të cilin parashikohen veprime për ofrim të shërbimeve në koordinim me akterët siç janë: shëndetësia, shkolla dhe po ashtu në koordinim të ngushtë me prindin apo kujdestarin ligjor”, ka thënë Mujku. Sipas tij trajtimi i rastit bëhet duke angazhuar edhe shërbimet e psikologut krahas punëtorit social që të mbajë seanca psikologjike dhe të trajtohet rasti profesionalisht.
“Gjatë trajtimit të rastit, nëse nxirret ndonjë informacion me rëndësi, të ndahet me prokurorin për të mitur”, ka shpjeguar ai.