Arbëri

“Fshesa” e Abdixhikut në LDK nxit reagime

Jashtë Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbetur nënkryetari i deritanishëm i saj Agim Veliu.

Përveç Veliut, në listën e anëtarëve të Kryesisë së re nuk bëjnë pjesë as ish-nënkryetarët Haki Rugova e Ismet Beqiri, derisa posti i nënkryetarit i është marrë edhe kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti.

Zgjedhja e Kryesisë së re është bërë këtë të shtunë, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, e cila zgjati rreth 20 minuta.

Kryesia e re e LDK-së do të përbëhet nga gjithsej 33 anëtarë. Prej tyre, 10 janë gra, derisa vetëm njëra prej tyre do ta mbajë postin e nënkryetares.

Pas votimit të përbërjes së re, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur takimin e parë me ta. Pas tij, Abdixhiku tha se ka marrë mbështetjen e plotë lidhur me propozimin e tij për takim me kandidaten për presidente nga Lëvizja Vetëvendosje, Vjosa Osmani.

Ndonëse ka përsëritur qëndrimin e tij se vendit i duhet një president i cili i përfaqëson të gjitha partitë, ai nuk ka pranuar të tregojë nëse e shohin Osmanin si të tillë.

“Ne kemi thënë vazhdimisht që na duhet një president që i përfaqëson të gjitha partitë politike, jo vetëm një parti politike. Na duhet një president kushtetues dhe këtë po e kërkojmë, të gjitha detajet e diskutimeve do t’i shpalosim para zonjës Osmani në takimin e ardhshëm kudo që ndodh...Meqenëse po kërkojmë takime, po punojmë në atë drejtim dhe takimet e qartësojnë atë çështje”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku më tutje ka bërë të ditur se Kujtim Shala do të jetë i propozuari i LDK-së për nënkryetar të Kuvendit, derisa Grupin parlamentar do ta udhëheqë sërish Arben Gashi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i anëtarit të partisë, Naser Rugova.

“Kryesi më të dobët LDK nuk ka pasur kurrë. Reciklim i partisë ORA, distancim nga presidenti Rugova, tentim transformim i partisë në servis të RINVEST-it. TURP!” ka shkruar ai në Facebook.

Në anën tjetër, qasja e Abdixhikut lidhur me diskutimet me ish-nënkryetaren e LDK-së, Vjosa Osmani, është duke u parë e qëllimshme nga analisti Vigan Qorrolli.

Në një postim në Facebook, Qorrolli ka thënë se nga diskutimet me Osmanin, kryetari i ri i LDK-së synon të ndajë deputetët e nismës së Vjosës nga Grupi parlamentar i Vetëvendosjes.

“Synimet e kryetarit të ri të LDK-se, Abdixhiku, për negociata tête-à-tête (kokë më kokë) me pretendenten për presidente, Vjosa Osmani, e kanë vetëm një qëllim: ndarjen e shtatë deputetëve me VV-në dhe bashkimin e deputetëve të Listës së saj me LDK-në në një grup parlamentar. Kësisoj, LDK do ta arrinte edhe një fitore pa luftë: opozita numër një në Kuvend, duke e tejkaluar në numra PDK-në me deputetë. Asgjë më pak, asgjë më shumë!” ka thënë Qorrolli.

Zgjedhja e strukturave të reja të partisë është bërë një javë pasi në krye të LDK-së erdhi Lumir Abdixhiku.