Arbëri

Pas numërimit të votave të rregullta dhe atyre me kusht, VV-ja ka 56 ulëse në Kuvend

Descriptive Text

Numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta vetëm ka përforcuar pozicionin e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit. Kjo parti, deri tash ka të siguruara 56 ulëse në Kuvend, teksa ka nisur numërimi i mbi 56 mijë votave të ardhura me postë.

VV-ja në zgjedhjet e muajit të shkuar pati marrë 47.85 për qind të votave, nga numërimi i mbi 791 mijë votave të rregullta. Pas numërimit të edhe mbi 29 mijë votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, VV-ja është ngritur në 47.94 për qind. Nga këto 29 mijë e 490 votat me kusht, VV-ja mori 14 mijë e 939 apo 50.6 për qind.

Rënie të lehtë kanë pasur të gjitha partitë tjera. Partia Demokratike e Kosovës pas llogaritjeve të votave të rregullta dhe atyre me kusht ka 17.38 për qind të votave, apo 20 ulëse në Kuvend.

Lidhja Demokratike e Kosovës në votat me kusht ka marrë më pak se 10 për qind, dhe kjo ka bërë që ajo të bjerë në votat e përgjithshme në më pak se 13 për qind. Kjo parti deri tash ka saktësisht 12.95 për qind të votave. Me përllogaritjen “Sainte-Lague” që përdoret për ulëset në Kuvendin e Kosovës, kjo parti do të marrë 15 ulëse.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pas numërimit të 820 mijë e 778 votave të rregullta dhe me kusht, ka marrë 60 mijë e 910 vota, apo në përqindje 7.42 për qind. AAK-ja deri tash ka të siguruara 9 ulëse në Kuvend.

Nisma mbetet jashtë Kuvendit.

Siç ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka nisur votimi i 56 mijë e 610 votave nga diaspora. Kjo mund të ndikojë në ndryshim të strukturës në Kuvend.