Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pritur sot në takim ushtruesen e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Në një njoftim të PDK-së thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, nevojën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit politik dhe institucional.
Hamza thuhet se në takim ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së se vendi ka nevojë për Kuvend funksional dhe rikthim të rendit kushtetues e demokratik.
“Ai shprehu shqetësimin për zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe për veprimet e partisë së parë, të cilat, sipas tij, kanë prodhuar shkelje kushtetuese dhe kanë thelluar krizën institucionale. Hamza theksoi se bllokada duhet të marrë fund dhe përgjegjësia për krijimin e institucioneve duhet të ushtrohet pa vonesa të tjera, duke respektuar vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe procedurat parlamentare”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Në takim thuhet se u vlerësua gjithashtu rëndësia e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe nevoja që Kosova të koordinohet me partnerët e saj ndërkombëtarë.
Të mërkurën deputetët sërish dështuan të konstituojnë legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Arsyetimi këtë herë ishte për mosdakordim për emrat e nënkryetarëve të Kuvendit.
Gjithsesi, kjo seancë u ftua përtej afatit kushtetues. Në dy raste paraprake, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për të negociuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, pa zgjidhje për presidentin, nuk shmangin zgjedhjet e reja.
Kurti dhe Abdixhiku ndërkohë janë dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut për president. Por, as kjo marrëveshje nuk e garanton kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh, pasi gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë kundër.