Arbëri

Haradinaj: Duke u munduar ta ngijmë Serbinë, kurrë nuk e marrim njohjen

Descriptive Text

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Serbia dhe Rusia po i shkakton bllokadë Kosovës dhe se prej saj, kjo e fundit duhet të lirohet duke kërkuar futjen në NATO.

Në takim me nëndegët e partisë në Pejë, Haradinaj tha se Kosova nuk mund ta marrë njohjen nga Serbia duke i dhënë çfarëdo që ajo i kërkon.

“Krej bota ka besu se nëse Serbia nuk na njehë ne nuk ecim përpara, duhet ta marrim njohjen e Serbisë. Besoj se duke u mundu me e ngi Serbinë, kurrë nuk e marrim njohjen, nuk ngihet Serbia në raport me Kosovën sepse e ka politikën e saj. Atë që duhet të bëjmë, është që të themi se duam të hyjmë në NATO, përndryshe nëse nuk e heqim bllokadën që po na bën Serbia e rusi, nuk na mbetet tjetër pos referendum për bashkim me Shqipërinë”, tha ai.

Në raportin me Serbinë, Haradinaj tha se çështja me të duhet të mbyllet përgjithmonë.

“Nuk mund të qëndrojmë gjithmonë në pritje e pezull. I kam 20 vjet në politikë, e kam parë Kosovën edhe si e shohin Thaçi e Veseli prej atje, e kam pa edhe prej këtu. Serbia, Rusia po provojnë me e mbajtë Kosovën të bllokuar, mbaje sa më gjatë të bllokuar se lodhet Kosova”, ka thënë Haradinaj.