Arbëri

BE: Për Kosovën dhe Serbinë, rruga drejt BE-së kalon përmes dialogut

Descriptive Text

Rruga e Kosovës dhe e Serbisë drejt Bashkimit Evropian kalon përmes dialogut. Kështu i ka thënë KOHËS zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.

Ai ka thënë se BE-ja do të angazhohet me të dyja palët për vijimin e mëtejshëm të këtij procesi.

Stano ka thënë se dialogu nuk është ndalur, është duke vazhduar, dhe se emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është duke i vazhduar angazhimet e tij lidhur me këtë proces.

Ai tutje nuk ka dhënë ndonjë datë se kur mund të mbahet takimi i radhës mes të dyja vendeve, duke shtuar se do të shpallin takimet e ardhshme kurdo që është e përshtatshme.

“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me bashkëbiseduesit në Kosovë për dialogun Beograd-Prishtinë. Nuk është për ne, BE-në, të zgjedhim bashkëbiseduesit tanë, por që Kosova dhe autoritetet e saj vendosin se si interesat e tyre shërbehen dhe përfaqësohen më mirë. Për Kosovën dhe Serbinë, rruga drejt BE-së kalon përmes dialogut”, ka thënë ai.

Stano ka deklaruar se marrëveshja përfundimtare varet nga të dyja vendet dhe nga aftësia e tyre për të vazhduar dhe gjetur konsensusin e nevojshëm. Ai ka thënë se janë duke punuar që ky proces të mos zgjasë me vite.

“Bashkimi Evropian nuk është ai që vendos afatet, ato varen nga aftësia e të dyja palëve për të vazhduar dhe për të gjetur konsensusin e nevojshëm – Borrell dhe Lajçak kanë theksuar disa herë se nuk po vendosin afat, por po punojnë që ky proces do të zgjasë me muaj dhe jo me vite”, ka thënë ai.

Duke folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për rrëzimin e Qeverisë Hoti dhe shkuarjen në zgjedhje të reja, Stano ka thënë se institucionet duhet të vazhdojnë me hapat e duhur e të cilët janë në përputhje me vendimin.

Dialogu rifilloi në vjeshtë pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e ish-presidentit Donald Trump, nga ku dolën me një listë zotimesh të dyja shtetet. E pas kësaj u mbajtën edhe disa takime të tjera në nivel ekspertësh e po ashtu edhe mes kryeministrit Avdullah Hoti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, porse marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve duket të jetë e largët, pasi Vuçiqi potencon se nuk do ta njohë Kosovën e pala kosovare thotë se s’do të ketë marrëveshje përfundimtare pa njohje të ndërsjellë.

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, i ka thënë KOHËS se ndërrimi i Qeverisë në Kosovës do ta ngadalësojë edhe më shumë dialogun me Serbinë. Porse ai ka shtuar se kjo situatë politike nuk e zbeh rëndësinë e kësaj të fundit në dialog.

Ndërkaq njohësi i çështjeve të Ballkanit, Bodo Weber, ka konsideruar se me përfshirjen e administratës Joe Biden do të ketë rikthim të bashkëpunimit të ngushtë transatlantik dhe rivendosje të vërtetë të bisedimeve Kosovë-Serbi.