Nën moton “Ti je polic, por jo zot me marrë shpirtin”, sot me fillim në ora 11:00, afër stacionit policor në Lipjan do të organizohet një protestë ku do të kërkohet drejtësi për Agon Zejnullahun, i cili ka vdekur gjatë arrestimit nga Policia.
Pesë zyrtarë të policisë janë në paraburgim dhe po dyshohen për “vrasje nga pakujdesia”.
Protesta do të organizohet nga familjarët e Zejnullahut, të cilët akuzojnë Policinë se me ushtrimin e tepruar të dhunës çuan në vdekjen e tij.
Zejnullahu vdiq në orët e para të së hënës.
Vëllai i Agon Zejnullahut: Kërkojmë hetim të plotë dhe transparent, jo heshtje institucionale
Ka nisur protesta ku po kërkohet drejtësi për Agon Zejnullahun, 27-vjeçari i cili vdiq pasi u arrestua nga disa policë.
Vëllai i tij, Alban Zejnullahu, ka thënë se sot kërkojnë hetim të plotë dhe transparent për Agonin, e se si familjarë duan drejtësi në këtë rast.
“Sot nuk jemi mbledhur për urrejtje, jemi këtu për të kërkuar drejtësi. Sot jemi këtu për Agonin, një djalë, një jetë, një zë që nuk mund të heshtet. Jemi këtu sepse drejtësia nuk është privilegj, por e drejtë. Agoni nuk është vetëm një emër, është simbol i një padrejtësie që nuk guxon të harrohet. Kërkojmë hetim të plotë dhe transparent, kërkojmë përgjegjësi, veprim ligjor jo heshtje institucionale”, ka thënë ai.