Shpallja e zgjedhjeve, pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Kushtetueses

- 00:01Shpallja e zgjedhjeve, pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Kushtetueses
- 16:36Tahiri: Transferimi i vendimit te qytetari është festë
- 15:39Krasniqi: Fundi i janarit i përshtatshëm për zgjedhje
- 15:24Nis takimi Osmani-Krasniqi
- 14:25Abrashi: Orientimet janë që të shkojmë të vetëm në zgjedhje
- 14:05Kurti: Jemi të interesuar që sa më herët t’i kthehemi popullit
- 13:29Mustafa s'i shkon në takim Osmanit, nuk e komenton as vendimin e Kushtetueses
- 13:14Osmani takohet vetëm me Kurtin si lider partie, të tjerët përfaqësues
- 09:30Osmani mbledh partitë politike nga ora 13
- 08:35Osmani sot fton partitë politike për konsultim rreth datës së zgjedhjeve të parakohshme
Shpallja e zgjedhjeve, pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Kushtetueses
Për të diskutuar lidhur me opsionet e mundshme për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani të martën ka takuar përfaqësuesit e disa prej partive politike në vend. Takimet me parti ajo do t’i vazhdojë edhe gjatë së mërkurës. Osmani do të presë publikimin e plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetueses për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme
Valbona Bytyqi
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, do të presë publikimin e plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetueses për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Në funksion të situatës së krijuar pas njoftimit të Kushtetueses se qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jolegjitime, Osmani ka mbajtur të martën takime konsultative me përfaqësuesit e partive politike.
Me fillim nga ora 13:00, në zyrën e Presidentes, Osmani që është edhe kryetare e Kuvendit, priti Albin Kurtin, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurti ishte i vetmi që mori pjesën në takim si kryetar partie, ndryshe nga subjektet e tjera që u përfaqësuan me nënkryetar e sekretar.
Diskutimet mes Osmanit e Kurtit, zgjatën rreth 50 minuta, derisa sikurse edhe me të tjerat, takimi mes tyre ishte i mbyllur për media. Pak detaje nga ajo se çfarë u diskutua brenda pas përfundimit të takimit shpalosi kryetari i Vetëvendosjes. Kurti tha se janë në pritje të publikimit të plotë të aktgjykimit të Kushtetueses, e për të cilin tha se do t’i sqarojë të gjitha dilemat që kanë. Për Vetëvendosjen data e zgjedhjeve duhet të jetë sa më e afërt.
“Kemi humbur kohë dhe na nevojitet të ecim sa më shpejt që duke u kthyer te populli si burim i sovranitetit, të restaurojmë legjitimitetin e institucioneve dhe të kemi qeveri të re e kompetente, e cila e nxjerr Kosovën nga kriza e shumëfishtë”, ka thënë Kurti pas takimit, derisa u shpreh i bindur se nga zgjedhjet do të dalin të parët.
Për dallim nga Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, në takimin me u.d. e presidentes, Vjosa Osmani, dikur nënkryetare e saj, u përfaqësua nga sekretari Arban Abrashi. Zyrtari i LDK-së dha një datë për mbajtjen e zgjedhjeve - e diela e parë e muajit shkurt.
”E kemi përmendur janarin edhe më herët, gjithsesi në kuadër të këtij konteksti që të mos hyjmë dhe të mos i kalojmë kufijtë kushtetues, sepse është e paqartë çka ndodh pastaj. Datat të cilat sot i kam përmendur, ka qenë 7 shkurti. Sidoqoftë, ky është takim preliminar besoj që në takimet pas aktgjykimit të plotë e caktojmë më saktë datën”, ka thënë ai.
Një orë më pas, në zyrën e presidentes Osmani, arriti përfaqësuesi i PDK-së. Për këtë parti, datë e përshtatshme për zgjedhje është fundi i muajit janar.
“Besojmë qe fundi i janarit është datë e përshtatshme, presim që Gjykata Kushtetuese sa më parë të publikojë aktgjykimin e plotë në mënyrë që të jetë i plotfuqishëm, dhe besojmë që është e domosdoshme që të mos humbë kohë”, ka theksuar Memli Krasniqi i PDK-së.
Për dallim nga LDK e PDK, AAK-ja nuk ka ndonjë datë konkrete për mbajtjen e zgjedhjeve, derisa këtë proces e konsideron festë Besnik Tahiri nga kjo parti. AAK-ja ishte pjesë e Qeverisë Hoti.
“Presidentja u zotua se do të ketë konsultime të gjata me të gjitha partitë e pastaj të caktohet një datë që do të jetë në kornizën e këtyre afateve kohore. Ajo që dua të them është që të gjithë ne tanimë e kemi një qartësi, vendimi është te qytetarët, te populli, Kosovë urime zgjedhjet”, tha Tahiri, pas takimit.
Pas takimeve për media nuk është deklaruar Osmani. Nga zyra e saj, të gjitha takimet janë përmbledhur me një paragraf.
“Në takime është diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe është thënë se data e mbajtjes së tyre do të mund të caktohet tek pasi që palët ta pranojnë Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet nga Presidenca, derisa është bërë e ditur edhe agjenda e takimeve të Osmanit me partitë e tjera.
Të mërkurën me fillim nga ora 11 Osmani do të takojë përfaqësues të koalicionit Nisma-AKR, në orën 12:00 ata të Grupit 6+ dhe në orën 13:00 përfaqësuesit e Listës Serbe. Takimet e Osmanit me partitë politike janë duke u bërë në kuadër të konsultimeve me tyre, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me votën e Etem Arifit. Gjykata Kushtetuese të hënën mbrëma ka konsideruar të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi, i cili në kohën kur ushtroi mandatin ishte i dënuar me burgim prej një vit e tre muaj, me formën e prerë. Kushtetuesja ka kërkuar shpalljen zgjedhjeve të parakohshme dhe mbajtjen e tyre në afat prej 40 ditësh pas shpalljes së tyre.
Qeveria Hoti është zgjedhur me votat e 61 deputetëve më 3 qershor.
Tahiri: Transferimi i vendimit te qytetari është festë
Besnik Tahiri i AAK-së pas takimit me u.d e presidentes Vjosa Osmani, ka folur për media, ndërsa ka thënë se kur vendimi transferohet te qytetari është festë.
Ai ka thënë se Kosova ka dëshmuar që di të organizojë zgjedhjet edhe në situatë të vështirë.
“Kur vendimi transferohtet te qytetari është festë. Është një festë. Kosova ka dëshmuar stabilitet institucional, kemi organizuar edhe në kohë më të vështira zgjedhje. Dhe në këtë festë besoj se do të kalojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, përkundër situatës me pandeminë”, ka thënë Tahiri.
Ai nuk ka dashur të flasë shumë për kandidaturën e deritashme të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për president. Tha se kjo nuk është diskutuar, por pas zgjedhjeve Aleanca do të ketë ofertën e saj edhe për këtë post.
Krasniqi: Fundi i janarit i përshtatshëm për zgjedhje
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nga u.d. e presidentes Vjosa Osmani e ka njoftuar për pjesën e obligimeve të saj.
Ai ka thënë se e ka mirëpritur vendimin, pasi në vazhdimësi si PDK kanë kërkuar të mblidhen partitë parlamentare për t’u dakorduar për një datë për shpërndarjen e Kuvendit.
Ai ka thënë se ka shprehur qëndrimin se PDK-ja pret që data e zgjedhjeve të shpallet sa më shpejt të jetë e mundur brenda harkut kohor pas vendimit të plotë të Kushtetueses.
“Besojmë që fundi i janarit është datë e përshtatshme. Besojmë që është e domosdoshme që të mos humbet kohë pasi edhe viti i ardhshëm po vjen me shumë pikëpyetje lidhur me krizën ekonomike”, ka thënë ai.
Krasniqi nuk ka bërë të ditur nëse në zgjedhje do shkojnë të vetëm apo në koalicion, duke shtuar se ky nuk është prioriteti i tyre esencial.
Nis takimi Osmani-Krasniqi
Ushtruesja në detyrë e postit të presidentit, Vjosa Osmani ka nisur takimin me përfaqësuesin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Takimi ky që po mbahet për konsultim të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasi që mbrëmjen e së hënës Gjykata Kushtetuese mori vendim që Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo legjitime.
Para këtij takimi Osmani takoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, e më pas edhe përfaqësuesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi.
Abrashi: Orientimet janë që të shkojmë të vetëm në zgjedhje
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arban Abrashi ka thënë janë të orientuar që në zgjedhje të shkojnë vetëm. Ai tutje ka shtuar se si datë e mbajtjes së zgjedhjeve është përmendur 7 shkurti.
Abrashi ka thënë se si parti e kanë përmendur që zgjedhjet të mbahen në janar, duke shtuar se janë të gatshëm për zgjedhje.
“Ajo çka e diskutuam është që duhet të gjejmë fuqi politike që të votojmë buxhetin 2021 sepse kjo prek secilin qytetar. Na duhet si shtet edhe për të blerë vaksinën anti-Covid. E mira e kësaj është që aktgjykimi i plotë ende nuk është bërë publik dhe mund të shfrytëzohen këto ditë”, ka thënë ai.
Abrashi ka thënë se data e cila është përmendur sot për mbajtjen e zgjedhjeve është 7 shkurti.
“Ne ende nuk kemi diskutuar por orientimet janë që të shkojmë të vetëm në zgjedhje”, ka thënë ai.
Kurti: Jemi të interesuar që sa më herët t’i kthehemi popullit
Kryetari i VV-së Albin Kurti ka thënë se në takim me u.d. të presidentes Vjosa Osmani nuk kanë folur për një datë konkrete për zgjedhje, por në harkun kohor ai ka thënë se duhet të jetë së më e shpejtë data.
Sipas tij në atë hark kohor, në datën e cila është sa më herët e mundshme janë të interesuar që të mbahen zgjedhjet e parakohshme.
Ai ka thënë se ju nevojitet që të ecin sa më shpejt që duke u rikthyer te populli si burim i sovranitetit, të restaurojnë legjitimitetin e institucioneve, të ketë qeveri kompetente që e nxjerr Kosovën nga kriza e shumëfishtë.
Lidhur me atë se kandidatët me aktakuza nuk do të garojnë, ai ka thënë se janë duke pritur aktgjykimin e plotë të Kushtetueses.
Kurti ka thënë se nuk kanë diskutuar çështje politike elektorale me Osmanin.
Menjëherë pas përfundimit të takimit me Kurtin, Osmani ka nisur takimin me përfaqësuesin e LDK-së, Arban Abrashi.
Mustafa s'i shkon në takim Osmanit, nuk e komenton as vendimin e Kushtetueses
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka mbërritur në selinë e tij.
Mustafa ka thënë për KOHËN se nuk do të shkojë personalisht ai në takim te u.d Presidentja Vjosa Osmani, por një përfaqësues i partisë, që KOHA ka mësuar se është Arban Abrashi.
Ai nuk ka dashur të komentojë se pse nuk do të shkojë në takim te Osmani dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Osmani takohet vetëm me Kurtin si lider partie, të tjerët përfaqësues
Albin Kurti, kryetari i Vetëvendosjes, tashmë ka mbërritur në Presidencë për t'u konsultuar me u.d të presidentes, Vjosa Osmanin, rreth datës së zgjedhjeve.
Kurti edhe është i vetmi lider partie që do të takohet sot me Osmanin.
KOHA mësoi se nga partitë tjera do të shkojnë përfaqësues.
Nga LDK-ja në orën 14:00 do të shkojë Arben Gashi, nga PDK-ja në orën 15:00 do të shkojë Memli Krasniqi dhe në orën 16:00, nga AAK-ja, Besnik Tahiri.
Osmani mbledh partitë politike nga ora 13
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, do të mbledhë nga ora 13:00 partitë politike për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve të parakohshme.
Kjo është bërë e ditur për KOHËN nga zyra e saj.
Presidentja në detyrë, fillimisht do ta takojë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Takimi mes Osmanit e Kurtit pritet të mbahet në ora 13:00.
Ndërkaq, në orën 14:00 nga Lidhja Demokratike me Osmanin do të takohet Arban Abrashi. Ndërkohë në orën 15:00 në zyrë të presidentes, siç mëson KOHA, do të shkojë Memli Krasniqi.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të shkojë Besnik Tahiri.
Rasim Selmanaj në një përgjigje për KOHËN tha se kanë mbajtur paraprakisht një takim në AAK, ku janë diskutuar të gjitha proceset duke mos përjashtuar edhe çështjen e presidentit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës të hënën në mbrëmje e ka shpallur të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe se konstatoi se presidenti i Republikës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre. Ky vendim vjen, pasi vota e Etem Arifit u konsiderua e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim.
Osmani sot fton partitë politike për konsultim rreth datës së zgjedhjeve të parakohshme
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar për sot t’i ftojë partitë politike për konsultim rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, pas vendimit të Kushtetueses se Qeveria Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jo legjitime.
Pas konsultimit me subjektet politike, pritet të shpallet edhe data e zgjedhjeve, jo më larg se 40 ditë, sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, më 3 qershor.
Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ajo po ashtu ka konstatuar se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.
Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Përfundon aksioni i bastisjes në Banjskë

Berisha për sulmin terrorist: Skenar i përbashkët i Kurtit, Vuçiqit dhe ndërmjetësve

Kosovës e Serbisë u bëhet thirrje t’u kthehen bisedimeve dhe zbatimit të marrëveshjes

Sulmuesit e vrarë në Banjskë vlerësohen “të pafajshëm” nga kryekuvendari i Republika Sërpskas

Drejtori i Policisë viziton Banjskën, siguron që qytetarëve do t’u ofrohet ndihmë sipas nevojave të tyre

Sulmi në Banjskë, KFOR-i thotë se ishte i gatshëm për të ndërhyrë nëse kërkohej

Osmani në takim me Hovenierin: Shpresoj të ketë sanksione për Serbinë pas sulmit në veri

Rreth 60 të dyshuar për sulmin në Banjskë, 10 morën trajtim mjekësor në Serbi

Chollet: Palët t’i kthehen dialogut dhe ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit

Bolton: Negociatat qe disa dekada dëshmojnë kompleksitetin e krizës në Kosovë

Pikëpamje të ndryshme nëse Lista Serbe duhet shpallur organizatë terroriste
