Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Nisma” që presidenti të zgjidhet nga populli mbetet vetëm diskutim

Presidenca

Rreth katër muaj nga diskutimi që presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar me partitë politike, por veprime në drejtim të ndryshimit të mënyrës së zgjedhjes së kreut të shtetit nuk ka pasur. Nga Zyra e Presidentes kanë konfirmuar qëndrimin e Osmanit për këtë mundësi e s’kanë treguar për hapat konkretë drejt realizimit të kësaj nisme. Njohësit e proceseve politike e shohin të vështirë realizimin e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit, ndonëse e konsiderojnë pasurim të demokracisë.

Dështimi për zgjedhjen e presidentit brenda afatit të paraparë, sipas Kushtetutës, çon vendin në zgjedhje të parakohshme.

Vitin e shkuar, presidentja Vjosa Osmani pati deklaruar se zgjidhja për evitimin e tyre është zgjedhja e kreut të shtetit drejtpërdrejt nga populli, pas diskutimit që pati zhvilluar me partitë politike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndonëse qëndrimi i Osmanit është konfirmuar nga zyra e saj, tash e dy javë nga Presidenca nuk kanë njoftuar për veprimet që janë ndërmarrë në këtë drejtim e për sfidat eventuale të realizimit të kësaj mundësie.

“Presidentja Osmani është përkrahësja më e madhe e një procesi të zgjedhjes së drejtpërdrejtë nga populli”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media.

Zgjedhja e presidentit nga qytetarët në vend të deputetëve, nga njohës të proceseve politike konsiderohet pasurim i demokracisë, por vështirë i realizueshëm.

Një prej arsyeve, sipas tyre, është edhe mungesa e përkrahjes nga komuniteti serb për ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

Hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës, Eugen Cakolli, thotë se pa përkrahje politike kandidatët nuk mund të sigurojnë votat e nevojshme.

“Unë besoj që zgjedhja e drejtpërdrejt e presidentit apriori ju konvenon partive që janë në trend të rritjes ose kanë përkrahje të madhe qytetare dhe për ta marrë si shembull, në rastin aktual po të zgjidhej presidenti drejtpërdrejt atëherë që normalisht që partia fituese me numrin më të madh të deputetëve nuk do të kishte nevojë për shumë kompromise me partitë e tjera për ta arritur atë marrëveshjen e nevojshme politike”, ka thënë Cakolli.

Ndryshimi i votimit, edhe sipas analistit Afrim Kasolli, nuk do të ndikonte në klimën politike që presidenti të jetë i shkëputur nga subjektet politike.

“E shoh të pamundur një fitore të asaj pozite në zgjedhje nëse nuk është i lidhur me njërën prej subjekteve kryesore politike. Ne kemi edhe vende në rajon, si Republika e Maqedonisë së Veriut që presidenti zgjidhet drejtpërdrejtë prej popullit por asnjëri prej tyre nuk del pa mbështetje të një subjekti parlamentare”, ka thënë Kasolli.

E për Artan Muhaxhirin, njohës i zhvillimeve politike, partitë nuk janë të gatshme për një ndryshim të tillë.

“Nuk besoj që partitë politike janë të gatshme që këtë pushtet, këtë vullnet ta delegojnë te qytetarët, sepse kjo u konvenon atyre shumë, u jep një lloj fuqie të madhe politike dhe u mundëson që të bëjnë edhe kalkulime të tjera veçanërisht në raport me qeverinë apo me postin e kryeparlamentarit. Kështu parimisht do të ishte shumë më e drejtë, shumë më e duhur, por nuk besoj që klasa politike kosovare është deri në atë nivel të emancipimit politik që ta pranojë dhe ta zbatojë këtë gjë”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Osmani është zgjedhur presidente më 4 prill të 2021-tës, ndërsa detyrën e mori një ditë më pas.