Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
DITA E ÇLIRIMIT

25 vjet liri

25 vjet liri

Foto: Alban Bujari

Kosova sot ka shënuar 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit. Çerekshekulli më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në 25-vjetor, janë organizuar disa ceremoni, ndër të cilat edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në shesh. Dita është mbyllur me pritjen shtetërore nga presidentja e vendit, kryeparlamentari dhe kryeministri. Gjatë gjithë ditës, artikulli është përditësuar me zhvillimet më të reja

Fotografi nga parakalimi i Ushtrisë së Kosovës

Begaj pritet me nderime shtetërore

2 v. më parë / 12 qer 2024 09:32
begaj/osmani

/kp

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj është pritur me nderime shtetërore në Prishtinë të mërkurën.

Presidentja Vjosa Osmani doli për ta pritur Begajn para Presidencës, ku edhe u intonuan himnet shtetërore nga trupat e FSK-së.

Begaj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, pritet t’i drejtohet deputetëve me një fjalim.

Kosova sot feston 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit.

“Ju flet Kosova e Lirë”, Pllana: Në asnjë rast nuk më është dridhur zëri

2 v. më parë / 12 qer 2024 09:30
Nusret Pllana - Ju flet Kosova e Lirë

Nusret Pllana

Nusret Pllana, moderator gjatë luftës i lajmeve në radion “Ju flet Kosova e Lirë”, ka deklaruar se nuk i ishte dridhur zëri gjatë punës në radio, duke deklaruar se kishte raste kur bombardimet e Serbisë ndodhin pranë bunkerit.

Ai ka deklaruar Pllana të mërkurën se s’është meritori kryesor për raportimin gjatë luftës, duke shtuar se lajmet për Kosovën i janë dhënë botës direkt nga bunkeri.

“Kam pasur fatin të jem folësi i parë i ‘Radios Kosova e Lirë’, por kam qenë edhe ushtar i lirisë. Në rast nuk më është dridhur zëri...Në radion nga bunkeri kemi qenë të lidhur me NATO-n në Bruksel, kemi pasur reporterin Ekrem Krasniqi që ia ka përcjell NATO-s”, ka thënë Pllana.

VIDEO:

Pllana, sot anëtar i kryesisë së Institutit për krimet gjatë luftës në Kosovë, ka shtuar se afër çlirimit të Kosovës, forcat serbe “shqelmat e fundit i kishin përdorur ndaj popullatës civile”.

Pllana i ka kërkuar popullit që të njohë kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shtuar se lufta nuk duhet të harrohet.

VIDEO:

Osmani: Përjetësisht mirënjohës për vizionarët, dëshmorët, martirët dhe aleatët e lirisë

2 v. më parë / 12 qer 2024 09:04
Vjosa Osmani

Photo: Alban Bujari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar një video përmbledhëse për Ditën e Çlirimit teksa ka shprehur mirënjohje për vizionarët, dëshmorët, martirët dhe aleatët e lirisë.

Videoja nis me deklaratën e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, për nisjen e bombardimeve për çlirimin e Kosovës.

Në të ka edhe pamje të ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, dhe vazhdon me deklarata të ish-presidentit Ibrahim Rugova e kryekomandantit, Adem Jashari. 


 

Agjenda shtetërore për Ditën e Çlirimit

2 v. më parë / 12 qer 2024 08:16
FSK

Kosova sot, 12 qershor, shënon 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit. Çerekshekulli më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në 25-vjetor, do të ketë disa ceremoni, ndër të cilat edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në shesh. 

Nga ora 09:15, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta presë në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në orën 10:00 Kuvendi do të nisë seancë solemne në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit.

Parakalimi i Forcave të Sigurisë dhe Policisë do të nisë në orën 12:00 nga objekti i Qeverisë deri te shesh “Zahir Pajaziti” në kryeqytet. Pritet të ekspozohen sisteme të ndryshme të armatimit.

Në orën 14:00 në Ferizaj do të zbulohet shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair.

Tre liderët e shtetit, presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari do të kenë pritje shtetërore në nder të 25-vjetorit. Kjo ceremoni nis në orën 17:00.

Nga ora 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet do të ketë koncert festiv publik.

25 vjet liri

2 v. më parë / 12 qer 2024 08:12
Bombardimet -NATO

Foto: Arkiv

Photo: Alban Bujari

Kosova sot, 12 qershor, shënon 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit. 

Çerekshekulli më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në 25-vjetor, do të ketë disa ceremoni, ndër të cilat edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në shesh. 

Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars, dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Gjatë fushatës 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s i bënë 38 mijë e 400 fluturime, nga të cilat në 10 mijë e 484 fluturime u bënë bombardime. Nga ajri ishin hedhur gjithsej 26 mijë e 614 projektilë. 

Fushata e bombardimeve ajrore ndaj Jugosllavisë u bë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.

Me intensifikimin e bombardimeve të NATO-së, forcat ushtarake dhe paramilitare të ish-RFJ-së e nisën një fushatë të egër kundër popullatës civile. Sipas shënimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit, rreth 10 mijë shqiptarë ishin vrarë dhe hedhur në varreza masive. Dëbimi masiv i gjysmë milioni refugjatëve vetëm në dy javët e para të bombardimeve çoi në jostabilitet politik në Maqedoni dhe Shqipëri. 

Më 1 qershor 1999, Beogradi kishte pranuar parimet e G-8-shes. Kësisoj, NATO-ja i pezulloi sulmet e veta ajrore më 10 qershor. Po atë ditë, pas konfirmimit se forcat e ish-RFJ-së e kishin filluar tërheqjen sipas planit paqësor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244, e cila e përcaktoi kornizën për vendosjen e administratës civile të OKB-së, si dhe për vendosjen e një pranie ndërkombëtare e të sigurisë.  Për dallim nga plani i Rambujesë, trupat e NATO-s nuk do të kishin mundësi të hynin në territorin e ish-Jugosllavisë, por vetëm në Kosovë.

Kushtet e vendosjes së një pranie ushtarake ndërkombëtare, si dhe qëllimet e saj u përcaktuan në Marrëveshjen Tekniko - Ushtarake ndërmjet Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Kosovë (KFOR), dhe të qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të Republikës së Serbisë, e cila u nënshkrua më 9 qershor 1999.

Ekzistojnë argumente “pro” dhe “kundër” intervenimit të NATO-s më 24 mars 1999 në Kosovë. Ata që janë kundër argumentojnë se intervenimi nuk ishte i pastër nga pikëpamja ligjore, për shkak se nuk bazohej në ndonjë rezolutë eksplicite të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kurse, ata që miratuan ndërhyrjen e arsyetuan me faktin se u shpëtua një popull i tërë nga spastrimi etnik dhe gjenocidi. 
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte krijuar ndasi edhe brenda vendeve anëtare të NATO-s, në lidhje me ekzistimin e së drejtës së ndërhyrjes humanitare në të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare. 
Bombardimet e NATO-s bënë që Serbia të zbrazej duke pranuar ta nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës me NATO-n, pas së cilës forcat serbe u tërhoqën nga Kosova.

Më 18 mars 1999 përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe diplomatët perëndimorë nënshkruan Marrëveshjen e Rambouillet.

Por Slobodan Milosheviqi e refuzoi marrëveshjen e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare në Rambouillet, pavarësisht paralajmërimeve për bombardime për ta ndalur fushatën sistematike kundër popullatës civile në Kosovë.

Refuzimi i Milosheviqit që të firmosë marrëveshjen solli operacionin ushtarak “Allied Force”.