Arbëri

Hoti: S’ka Asociacion me kompetenca ekzekutive

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në konferencë për media ka thënë se nuk do të ketë Asociacion të Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.

Sipas tij Asociacioni do të jetë siç ka thënë Gjykata Kushtetuese.

“Asociacioni është temë e mbyllur me marrëveshjen e 2013 është ratifikuar në Kunve.dd Marrëveshja e parimeve 2015 e opinioni i Gjykatës Kushtetuese. Kemi garancitë që Asociacioni nuk ka kompetencë ekzekutive. E kemi hequr nga tavolina idenë e shkëmbimit të territoreve, nuk flet askush për këtë temë. Nuk diskutohet karakteri unitar i shtetit. Nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive. Nuk kam ndërruar mendje, nuk kam kurrfarë presioni, jam në detyrë për të kryer detyrën si kryeministër i vendit në përputhje me Kushtetutën e vendit”, ka thënë Hoti.

Ai thotë se Qeveria nuk është nën presion, dhe nuk pranon asnjë lloj kërcënimi.

“Nuk është Qeveri që pranon kërcënime nga askush. Kemi marrëveshje koalicioni me gjithë partnerët përfshirë edhe Listën Serbe. Për aq kohë sa i përmbahemi marrëveshjeve punojmë bashkë. Kjo është ajo që mund të them për këtë”, ka thënë Hoti. “Po diskutojmë marrëveshjet finale, për njohje reciproke. Vlen parimi i dakorduar me partnerët tanë dhe ndërmjetësues të dialogut, nuk dakordohemi për asgjë, derisa nuk dakordohemi për gjitha. Asgjë nuk zbatohet derisa nuk përmbyllet marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke të ratifikuar në Kuvend. Tek atëherë fillon zbatimi”.

Ai ka shtuar se vizita e Lajçakut është në momentin e duhur për të bërë një vlerësim për procesin e dialogut, edhe për të bërë plane për takimet e ardhshme që do t’i kemi në kuadër të këtij procesi.

“Ky nuk është proces i lehtë, ka tema të vështira siç është Asociacioni, edhe tema të tjera. Por, të gjithave do t’iu qasemi bazuar në parimet e qarta që i kemi bërë të ditura para Kuvendit. Kosova nuk është palë që e bllokon procesin e dialogut. Kosova, ndoshta për herë të parë pas shumë kohësh është palë jo vetëm konstruktive, por protagoniste kryesore drejt marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke. Është arritur dakordimi ndërkombëtar që të ulemi në tavolinë të dialogut vetëm për një gjë, për marrëveshje përfundimtare”, ka thënë Hoti.