Arbëri

Kurti për Asociacionin: S’duhet të bëhet për të mirën e Kosovës, Mustafa thotë se ka zgjidhje

Qeveria e Kosovës nuk e ka pohuar e as mohuar ende se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të jetë temë diskutimi në takimin e 18 gushtit.

Që nga e premtja nga ekzekutivi kanë deklaruar se agjenda do të bëhet e ditur me kohë, derisa të hënën nuk u janë përgjigjur pyetjeve të televizionit.

Për agjendën e takimit me presidentin Aleksandër Vuçiq, kryeministri Albin Kurti thotë të mos ketë njoftim zyrtar.

Derisa në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, ka thënë se Kosova ka asociacionin e komunave, dhe se kërkesa për një të tillë njëetnik nuk është bërë nga serbët e Kosovës por nga Beogradi.

“Modelet, të cilat janë zhvillimore, janë padyshim të nevojshme. Nëse kemi, ta zëmë, komunat e Maleve të Sharrit, ose të Bjeshkëve të Rugovës, ose komunat e lumit Lepenc, komuna të cilat kanë të bëjnë me veçantinë gjeografike, ekonomike e zhvillimore të komunave, unë jam i interesuar. Por, asociacione sipas kriterit etnik, nuk e kalojnë testin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të parimit universalist demokratik. Nuk e kalojnë. Pra, nuk duhet të bëhet asociacioni i komunave serbe pse kemi këtë identitet etnik, nëse ia duam të mirën këtij vendi”, tha Kurti.

Asociacionin ashtu siç janë duke e kërkuar serbët, thonë se nuk do ta përkrahin nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Nëse ideja për themelimin e asociacionit dhe insistimi për themelimin e asociacionit është për të krijuar dhe forcuar një mekanizëm të Serbisë për funksionim në Kosovë atëherë natyrisht se do të rezistojmë siç është rezistuar deri më tani për arsye se nuk po krijohen argumente kredibile për përmirësimin e jetës së qytetarëve apo komunitetit serb në Kosovë, por për krijimin e mekanizmave për ndikimin e Serbisë në Kosovë”, tha shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë renditur parimet e të cilat sipas tyre, nuk lejojnë ndikimin e asociacionit në sistemin qeverisës.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, mes tjerash, ka përmendur nevojën për qartësi të statutit të asociacionit.

“Dhjetë parimet bazë, që garantojnë se nuk minohet sistemi qeverisës me Asociacionin: Kushtetuta e vendit e garanton të drejtën e themelimit të asociacioneve; Sistemi politik dhe qeverisës është njëshkallësh, në dy komuna ka përgjegjësi asimetrike (Graçanicë & Mitrovica e Veriut); Ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe ai për Bashkëpunim Ndër komunal (BNK), rregullon në esencë mënyrën e bashkëpunimit në mes të komunave; Legjislacioni për vetëqeverisje lokale garanton të drejta ekskluzive për komunitetet; ndërkaq ai për financa, të drejtën e financimit nga donacionet; Për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe ka një vendim kushtetues që reflekton qartë pikat që bien në kundërshtim dhe rrugën që duhet ndjekur; Nevojitet qartësi e plotë për statutin e Asociacionit në linjë me rekomandimet e GJK-së; S’duhet të ketë dykuptimësi, por qartësi milimetrike; Asociacioni nuk mund të jetë strukturë mbi komunale; një etnike; duke rrezikuar karakterin multietnik të Kosovës; Asociacioni nuk mund ta minojë rolin kushtetues në shtetin dhe sistemin politik e qeverisës në vend, nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive; Të punësuarit nuk mund të jenë shërbyes publikë, ngase atëherë kjo duhet të akomodohet si strukturë/nivel qeverisës”, tha Tahiri.

Të premten, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar paralajmëroi diskutimet për asociacionin në takimin mes Kurtit e Vuçiqit.

Mes tjerash, Escobar tha se marrëveshja duhet të zbatohet e për një gjë të tillë duhet të gjenden modele të përshtatshme.

Qëndrimi i SHBA-së nuk është i ri, për ish-kryeministrin Isa Mustafa. Sipas tij, zgjidhje për zbatimin e marrëveshjes për asociacionin ka.

“Sa u përket përfaqësueseve amerikanë, qoftë nga Departamenti i Shtetit apo Shtëpia e Bardhë, ata/ato kanë pasur qëndrime konsistente për këtë çështje që nga viti 2013. VV kundërshtimin e kësaj çështjeje e shndërroi në kauzë për të ardhur në pushtet. Tani atyre u mbetet të ballafaqohen me kauzën që e ndërtuan. Zgjidhje ka, atë e ka formuluar Gjykata Kushtetuese. Një marrëveshje përfundimtare, me njohje reciproke, që e stabilizon Kosovën dhe këtë pjesë të rajonit është e domosdoshme të arrihet sa më parë. Kjo sa më parë është me këtë administratë amerikane. Vërej se do të jetë shumë më vështirë në të ardhmen, sepse Serbia, edhe përkundër faktit se po e mbanë anën e Rusisë, po ka përkrahje gjithnjë e më të madhe. Prandaj prolongimi llogaritet në favor të saj dhe në dëm të stabilitetit. Në anën tjetër, Qeverisjes së VV-së, nuk iu konvenon stabiliteti sepse nuk dinë dhe nuk janë të prirë të udhëheqin në një gjendje normale, pa u thirrur në luftë, në armiq, në tradhtarë…. , sepse kjo deri më tani ka qenë e vetmja punë që kanë treguar se dinë ta bëjnë”, ka thënë Mustafa,

Lidhur me agjendën e 18 gushtit, televizioni ka kërkuar përgjigje edhe nga Bashkimi Evropian. Kanë ritheksuar se nuk komentojnë deklarimet e palëve të tjera, duke shtuar se detajet për takimin do të shpalosen më vonë.