5 perditesime
21:31

Qalaj e pranon se shumë pak është bërë në hetimin e krimeve të luftës në Kosovë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj e ka pranuar në DESKU të KOHËS se shumë pak është bërë në hetimin e krimeve të luftës në Kosovë.

“Dihet botërisht se në Kosovë ka pasur krime të luftës. E dini që deri tash vonë, kompetencat për hetimin e krimeve të luftës fillimisht i ka pasur UNMIK-u e pastaj EULEX-i, për t’iu dorëzuar më pas Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se është i vetëdijshëm që nuk është bërë mjaftueshëm.

“Dhe, mund të them se nuk është bërë mjaftueshëm, absolutisht, për të gjitha rastet e krimeve të luftës. Madje, është bërë fare pak. E kjo është detyra më e madhe e njësitit të Krimeve të Luftës së Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

“Kanë kaluar mbi 20 vjet, por njerëzve ende u mungojnë qytetarët, familjarët, ka persona të zhdukur. Dhe, shumë pak raste janë zgjidhur”, ka thënë Qalaj.

21:12

Qalaj: Policia ka nevojë për gjenerata të reja

Policia e Kosovës ka nevojë për policë të rinj në moshë, ka thënë drejtori i Përgjithshëm i saj, Rashit Qalaj.

Teksa është ankuar për mungesën e sigurimeve shëndetësore dhe jetësore për policët e Kosovës, Qalaj ka shprehur besimin se më në fund këto do të realizohen, krahas edhe Ligjit për pensionim të parakohshëm.

Ai ka thënë se këto janë çështje komplekse e me rëndësi të madhe për policët e Kosovës. Sipas tij, vullnet për sigurimet shëndetësore e jetësore kanë shprehur të gjithë kryeministrat me të cilët ai ka bashkëpunuar gjatë mandatit si drejtor i Policisë.

Sa i përket moshës së vjetër të policëve, Qalaj ka thënë se Kosova ka nevojë për rekrutime. Sipas tij, një Ligj për pensionim të parakohshëm do të ndihmonte në “freskimin” e organizatës.

“E kemi moshën e shtyrë. 46-47 është mosha mesatare. Për nga mosha janë më të vjetrit. Arsyeja kryesore është mënyra e rekrutimit. S’ka pas kufizim të moshës deri në 55-vjeçare dhe kjo është arsye pse kemi moshë kaq të shtyrë. Ligji për pensionim të parakohshëm, pos atyre që do të rregullonte kushtet për ata që shkojnë në pension, do të ndihmonte edhe organizatën. Po i shihni në Prishtinë se si gjeneratat e reja i kanë dhënë freski policisë. Ka qenë 30 vjet kufizimi i moshës për aplikim, por po punojmë që të bie në 25-24. Organizata ka nevojë për njerëz të rinj që të shërbejnë gjatë”, ka thënë ai.

20:59

Që nga fillimi i pandemisë, Policia ka shqiptuar mbi 100 mijë gjoba

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në muajin mars të këtij viti Policia e Kosovës ka shqiptuar 107851 gjoba.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë në DESKU të KTV-së se janë dy faza të gjobave.

“I kemi dy faza të gjobave. Në fillim kanë qenë format për kundërvajtje të cilat s’kanë qenë gjoba që ne i kemi dërguar tek inspektorët sanitarë që janë kyçur në menaxhimin e pandemisë në mënyrë që ata t’i shndërrojnë në gjoba pasi s’e kemi pasur ligjin anti-covid dhe numri i tyre ka qenë 73226. Ndërsa prej se ka filluar që të hyjë në fuqi ligji anti-covid i kemi shënuar 34625 gjoba, pa e përfshirë ditën e sotme”, ka thënë Qalaj. “Besoj se numri është mjaft i madh mirëpo në anën tjetër ka pasur edhe aktivitete të tjera”.

Tutje ai ka thënë se në pikun e COVID-19 reagimi i qytetarëve ka ndihmuar shumë që të ulet numri i të prekurve me këtë virus, derisa ka theksuar se qytetarët në këtë fazë kanë qenë të disiplinuar.

“Që nga fillimi i pandemisë ne jemi detyruar ta angazhojmë gati tërë stafin policor për të parandaluar virusin dhe natyrisht ky angazhim ka bërë që disa punë t’i lëmë anash që të përkujdesemi për shëndetin e qytetarëve”, ka thënë ai.

Tutje Qalaj ka thënë se kanë pasur shumë vështirësi për të funksionuar gjatë pandemisë për shkak të mungesës së ligjit anti-covid.

“Ne kemi disa instruksione edhe nga IKSHPK-ja se si duhet të sillen qytetarët në raport me mbajtjen e disatancës dhe të maskave. Në terren nganjëherë edhe çalon kjo punë pasi duhet të koordinohen shumë veprime me inspektorët sanitarë. Jo gjithmonë kemi mirëkuptim nga qytetarët e vetëdijesim të duhur. Pasi shohim se ka ende qytetarë që nuk besojnë. Besoj se duhet të jemi shumë më të vetëdijshëm për rrezikun nga ky virus”, ka thënë Qalaj.

Tutje ai ka treguar se kur duhet të bartet maska e kur jo.

“Në instruksionet e fundit tashmë edhe kur je duke ecur vetëm në rrugë nuk ka nevojë ta kesh makën, e as në veturë, por në momentin që je me një tjetër konsiderohet grup dhe duhet ta kesh maskën. Çështja e bartjes së maskave në lokale duket ashtu (absurde), mirëpo edhe në shtetet e tjera njerëzit ku të ulen në tavolinë nuk është e obliguar që ta bartin maskën, mirëpo prej momentit që ngrihet nga tavolina, shembull nëse je në lokal dhe shkon në tualet duhet ta vendosësh maskën. Kjo është e rregulluar ashtu dhe nuk jam ekspert i fushës që ta diskutoj një çështje të tillë”, ka thënë Qalaj.

Sa i përket çështjes së lokaleve ai thotë se situata është pak më e komplikuar, pasi përgjegjës të parë janë inspektorët.

“Rreziku nuk ka kaluar, po shpresojmë që të paktën të shkojmë në këtë ritëm ose të ketë rënie. Kemi pas një rast mbrëmë në një nga qytetet ku në orët e vona ka pasur muzikë dhe jemi të autorizuar që Policia të reagojë dhe natyrisht se janë paraparë edhe dënimet me ligjin anti-covid dhe i është shqiptuar gjoba edhe pronarit të biznesit por edhe këngëtarit që ka qenë duke kënduar”, ka thënë Qalaj.

20:53

Qalaj: I kërkuam AKK-së rritjen e numrit të policëve që duhet ta deklarojnë pasurinë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë në DESKU të KTV-së së Agjencisë Kundër Korrupsion i është kërkuar që të rrisë numrin e policëve që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë.

"Është nismë e jona nga viti i kaluar. Kemi kërkuar nga AKK-ja që ta rrisë numrin e pjesëtarëve të policisë që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë dhe ne konsiderojmë që shumë nivele organizative në kuadër të Policisë së Kosovës duhet të jenë të obliguar për deklarimin e pasurisë", ka thënë ai, duke shtuar se konsideron që ky numër duhet të jetë shumë i lartë.

Por, si ka vazhduar Qalaj, nuk ka asgjë të keqe nëse edhe tërë Policia e Kosovës, si individë, e deklaron pasurinë.

"Nëse nuk gaboj, është në fazën e ndryshimeve të ligjit mbi Agjencionin Kundër Korrupsionit dhe se si do të jetë nuk e di, por e di që është e nevojshme që numri i pjesëtarëve të policisë, të cilët duhet ta deklarojnë pasurinë duhet të jetë shumë herë më i madh", ka thënë ai, i pyetur se ku ka mbetur procesi.

Ai ka treguar se aktualisht deklarimin e pasurisë e bëjnë vetëm postet e larta në PK.

"Komandanti i stacionit, drejtorët e divizioneve, drejtorët e drejtorive rajonale, drejtorët e departamenteve, zv. drejtorët e përgjithshëm...", ka saktësuar Qalaj.

20:39

Qalaj: Policia s’u përfshi në arrestimin e parë të Speciales, por më njoftuan për të

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se me Dhomat e Specializuara në Hagë nuk ka pasur ndonjë kontakt, ndonëse kjo gjykatë është funksionalizuar tash e sa vjet.

Ai ka thënë në DESKU të KTV-së se është çështje e vendimmarrjes së kësaj gjykate se përse nuk e ftoi policinë që të bashkëpunojë, gjatë aksionit të arrestimit, pas konfirmimit të aktakuzës së parë.

“Është fakt që në aksionin e parë nuk kemi qenë të përfshirë, por unë kam qenë i njoftuar që po zhvillohet një operacion. Në momentin kur ka filluar ky aksion, ka njoftuar kolegu nga EULEX-i”, ka thënë Qalaj.

Ai ka dhënë detaje edhe rreth përfshirjes së policisë një ditë pas arrestimit të Salih Mustafës, kur edhe u arrestuan dy krerët e OVL-së së UÇK-së, nën akuzat për pengim të drejtësisë.

“Të nesërmen e kemi parë një tollovi para Zyrës së Veteranëve dhe Policia e Kosovës është dashur të arrijë ta bëjë një qetësim të situatës. Besoj që ka ndikuar mjaft shumë që situata të qetësohet”, ka thënë ai.

Si ka shtuar Qalaj, vendimet janë të zyrtarëve që punojnë në Speciale. Ai ka shtuar se për këtë gjë ka diskutuar edhe me partnerë ndërkombëtarë.

“Kam biseduar me shumë partnerë tanë dhe kam kërkuar që Policia e Kosovës të jetë primarja në të gjitha aktivitetet që ndodhin në Kosovë. Konsideroj që Policia e Kosovës duhet të jetë e kyçur, është polici e vendit dhe ajo duhet të angazhohet si polici e vetme në të gjitha aktivitetet që ndodhin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se “nuk e di” nëse një gjë e tillë paraqet mungesë besimi te PK-ja.

“S’kam pasur ndonjë kontakt me zyrtarë nga Haga, por kam pasur kontakt me udhëheqësin e misionit të EULEX-it dhe zëvendësin e tij dhe i kemi diskutuar këto gjëra... Besoj se Policia e Kosovës do të jetë e angazhuar”, ka thënë Qalaj.

20:33

Qalaj s’jep detaje për rastin “Karaçeva”, thotë se hetimet nisën para një viti

Rashit Qalaj, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka refuzuar të japë detaje për arrestimet që lidhen me rastin “Karaçeva” duke thënë se nuk mund të flasë në kohën kur kryhen hetime. Vetëm ka treguar se hetimet kanë nisur një vit më herët.

Javë më parë në Karaçevë të Kamenicës u arrestuan 35 persona për kontrabandim me mallra e bixhoz të paligjshëm. Në mesin e tyre ishin 12 policë. Më pas aksioni vazhdoi në komuna të tjera duke e çuar totalin e të arrestuarve në 61.

I pyetur për detaje për këtë rast, Qalaj në Deskun e KOHËS, ka thënë se “s’mund të flasë për detajet në kohë të hetimeve”.

“Ajo që mund të them është se hetimi ka filluar gati një vit më parë, i përbashkët i Policisë, me Inspektoratin, nën udhëheqjen e Prokurorisë në Gjilan. E kemi ditur dhe ka pas veprime të koordinuara”, ka thënë ai.

Qalaj ka thënë se s’e di a do të ketë më arrestime, por ka shtuar se “do të ketë hetime”.

Përplasjet politike mes LDK-së dhe Vetëvendosjes për rastin “Karaçeva”, Qalaj ka refuzuar të komentojë. Ai ka thënë se “për asnjë plan operativ s’flitet me dikë jashtë Policisë së Kosovës”.

Ka shtuar se vonesat për rastin ishin bërë për shkak të specifikave të lokacionit dhe punës së përbashkëte edhe me partnerët strategjikë si KFOR-i e EULEX-is.

Sipas Qalajt, rezultati përfundimtar i sekuestrimeve në këtë rast do të publikohet pas përfundimit të të gjithë operacionit.