Javën e kaluar, edhe Policia e Kosovës e edhe Ministria e Punëve të Brendshme përmes dy komunikatave të ndryshme kishin kundërshtuar pretendimet e Miodrag Miliçeviqit, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare “Aktiv”, se është keqtrajtuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Jarinjë.
Të dy këto institucione në sqarimet e tyre, deklaruan se një gjë të tillë e ka mohuar edhe pala serbe.
“Me qëllim të riverifikimit janë ndërmarrë masa shtesë, ku zyrtarët policorë me detyrë në Jarinjë kanë pyetur edhe palën serbe nëse dikush ka paraqitur ndonjë ankesë, ku nga mbikëqyrësi i ndërrimit të palës serbe është konfirmuar se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ankesë për sjellje jo të mirë apo diçka të kësaj natyre”, u tha nga Policia e Kosovës.
Këto institucione në asnjërën nga komunikatat nuk kanë sqaruar se çfarë komunikimi ka Policia e Kosovës me atë të Serbisë dhe nëse komunikimet e tilla bëhen bazuar në ndonjë marrëveshje dypalëshe apo komunikimi është joformal.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës tash deputet i PDK-së, Rashit Qalaj, ka deklaruar së komunikim formal të drejtpërdrejtë mes Policisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë nuk ka qysh prej vitit 2018.
Ky komunikim, sipas tij, ishte ndërprerë pasi Policia e Kosovës e kishte arrestuar shefin e ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
“Komunikim zyrtar mes Policisë së Kosovës dhe Policisë se Serbisë nuk ka. Komunikimi bëhet nëpërmjet EULEX-it. Që kur është arritur marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit e deri në vitin 2018, kur në atë kohë është arrestuar Z. Marko Gjuriq ka pasur një komunikim me të shtuar mes policive kufitare, bile ka pasur edhe takime jo vetëm në nivelin e pikave kufitare, por edhe të drejtorive në Kosovë dhe në Serbi. Prej vitit 2018, komunikim nuk ka, por është me shumë komunikim joformal”, tha Qalaj.
Sipas Qalajt, komunikojnë joformalisht kur paraqitën pengesa gjatë punës te ndonjëra palë, por që ai komunikim është në baza vullnetare.
Komunikimi mes Policisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, për kohë të gjatë është mbajtur përmes zyrtarëve të EULEX-it në Kosovë dhe institucioneve të Serbisë, që sipas raporteve ishte në pajtim me Protokollin për Bashkëpunim Policor i nënshkruar në shtator 2009. Problemi me këtë kanal komunikimi, siç ishte raportuar, është se ai e sfidon mundësinë e Kosovës që të kuptojë çështjet që diskutohen nga EULEX-i dhe institucionet e Serbisë.