Arbëri

Kosova lejon që në territorin e saj të mbahen zgjedhjet e Serbisë

Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), do të bëjë grumbullimin e votave për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Jeff Bieley nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, në një deklaratë për KOHËN tha se më 21 qershor, ky mision do të bëjë grumbullimin e votave në lidhje me zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Në këtë rast, tha ai, OSBE-ja do t’i zbatojë praktikat dhe modalitetet e njëjta që janë përdorur më parë, duke përfshirë edhe 2017-n.

“Sipas praktikës së deritashme, ka ardhur kërkesë nga Beogradi dhe është arritur dakordim me autoritetet e Kosovës”, tha Bieley.

Por nga Qeveria e Kosovës ende s’janë deklaruar për këtë çështje. Ka ditë që KOHA ka dërguar pyetje në zyrën e kryeministrit dhe ata nuk i janë përgjigjur kërkesave.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen më 21 qershor 2020.

Që nga fundi i luftës në Kosovë, votimet për zgjedhjet e Serbisë mbahen me ndihmën e OSBE-së. Misioni i OSBE-së ka organizuar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë, e prej vitit 2012 edhe ato lokale.

Dyshtetësia serbëve ua lejon votimin edhe për shtetin e të cilit e kanë pasaportën, por kjo në raste të tjera zakonisht bëhet përmes postës ose me votim në ambasadën e shtetit përkatës, e jo në qendra votimi.

Shpëtim Gashi, nga Qendra për Qeverisje Gjithëpërfshirëse në New York, në një deklaratë për KOHËN pati thënë se zgjedhjet e Serbisë, ashtu si vitet e kaluara, do të organizohen edhe në Kosovë, rrjedhimisht, vendvotimet do të jenë nëpër institucione publike. Sipas Gashit, Qeveria Hoti është e varur nga Lista Serbe, votat të cilat ia siguroi Vuçiqi dhe votat që ia siguroi presidenti Thaçi, dhe kësisoj nuk guxon të ndërmarrë asnjë veprim që do ta hidhëronte presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq e as atë të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Zgjedhjet parlamentare të Serbisë do të mbahen në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Ashtu si herëve tjera, vendvotimet do të jenë në institucione publike, kryesisht në shkolla. Duke pasur dyshtetësinë, serbët e Kosovës kanë të drejtë votimi në zgjedhjet serbe por vetëm me postë, sipas normave zgjedhore që aplikohen edhe në vende tjera. Por këtu ka një problem: edhe po të donin qytetarët serbë të votonin me postë nuk do të kishin mundësi sepse postat e Kosovës dhe Serbisë nuk bashkëpunojnë, dhe mundësia e vetme mbeten vendvotimet fizike”, tha Gashi.

Por kujtojmë se me vendim të presidentit Hashim Thaçi, zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut, për shkak të pandemisë nuk u lejuan të mbahen.