Tomash Szunyog, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se praktika e deritashme që zgjedhjet e Serbisë të mbaheshin në Kosovë, nën organizimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duhet të vazhdojë.
Edhe pse Qeveria e Kosovës ka vendosur të mos lejojë organizimin e këtyre zgjedhjeve pa kërkesë zyrtare shtetërore të Serbisë drejtuar autoriteteve të Kosovës, Szunyog ka thënë se praktika e deritashme mund të ishte opsion edhe për zgjedhjet e shumëpërfolura të 3 prillit.
Në një deklaratë për “BBC-në” në gjuhën serbe të shtunën, Szunyog ka thënë se BE-ja beson që “praktika e vendosur, sipas së cilës OSBE-ja ka organizuar operimin e mbledhjes së votave në Kosovë, duhet të vazhdojë, me ndryshime të caktuara në situatën aktuale”.
Serbia vazhdimisht ka organizuar zgjedhje në Kosovë. Megjithatë, në janar të 2022-s nuk u lejua që në Kosovë të organizohet një referendum i organizuar për ndryshime kushtetuese në Serbi. Pasi që s’pati miratim nga Qeveria e Kosovës, as OSBE-ja nuk organizoi qendra votimi dhe votuesit serbë nga Kosova shkuan për të marrë pjesë në referendum në qytetet e Serbisë. Sipas BBC-së, e njëjta praktikë pritet të ndodhë sërish, për zgjedhjet e 3 prillit.
Vendimi i Qeverisë është pritur me kritika nga shtetet e QUINT-it dhe serbët në Kosovë. Teksa nga QUINT-i u konsiderua se kjo minon aspiratat evropiane, serbët të premten protestuan në qytete të ndryshme.
-
BE: Moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk përputhet me frymën e dialogut
-
Letra e Kurtit drejtuar BE-së për zgjedhjet serbe të 3 prillit
-
Qeveria në komunikim me vendet e QUINT-it për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjet serbe
-
BE-ja kërkon konsensus, opozita vendosmëri për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë
-
BE-ja kërkon të lejohet mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, Qeveria ofron dy mundësi