Rishqyrtimin e qëndrimit për mënyrën e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, ia ka kërkuar Bashkimi Evropian Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.
Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i ka thënë televizionit se deri në gjetjen e një zgjidhjeje Qeveria duhet të vazhdojë me praktikat e deritanishme për procese të tilla, atë të mbledhjes së fletëvotimeve.
“Jemi të vetëdijshëm për kërkesën e Serbisë drejtuar OSBE-së për të bërë “mbledhjen e votave” në Kosovë për referendumin e ardhshëm serb dhe refuzimin e mëvonshëm të Kosovës. Nuk ka marrëveshje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Megjithatë, është praktikë e vendosur që palët të komunikojnë përmes OSBE-së përpara çdo zgjedhjeje në Serbi për të rënë dakord mbi aranzhimet e "mbledhjes së votave". Një grumbullim i tillë është bërë në vitet 2012, 2014, 2016, 2017 dhe 2020. BE-ja i ka inkurajuar gjithmonë këto bisedime dhe është e gatshme të lehtësojë çdo bisedë të re ndërmjet palëve nëse kërkohet. Serbët në Kosovë duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të japin votat e tyre në kohën e duhur, edhe në zgjedhjet serbe. Qytetarët nuk duhet të paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve politike, veçanërisht kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në proceset demokratike. Ne u bëjmë thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht, duke përfshirë rishqyrtimin nga Prishtina për të vazhduar praktikën e vendosur të mbledhjes së votave, derisa të gjendet një zgjidhje e përhershme”, tha Stano.
Një kërkesë të tillë, misionit të OSBE-së ia ka bërë edhe shefi Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Në letrën e siguruar nga televizioni, Petkoviq ka përmendur mbajtjen e proceseve zgjedhore të Serbisë në Kosovë.
Ai ka kërkuar nga shefi i OSBE-së, Michael Davenport, mundësimin e mbajtjes së referendumit, që ka të bëjë me ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese në Serbi.
“Bazuar në këtë bazë ligjore dhe në praktikën e mirë të viteve të kaluara, ju lus, shkëlqesia juaj, të përdorni të gjithë autoritetin që keni nga Rezoluta 1244 e KS të OKB-së dhe autoritetin tuaj personal si kryetar i OMIK-ut për të siguruar që referendumi i ardhshëm i planifikuar për 16 janar 2022 duhet të zhvillohet në Kosovë e Metohi me angazhimin e nevojshëm të OSBE-së, si dhe me angazhimin e të gjithë faktorëve relevantë, duke ndjekur të njëjtin model si zgjedhjet e 2020-ës”, thuhet në letër.
Në anën tjetër, në një përgjigje nga ky mision kanë thënë se për kërkesën e Serbisë e kanë njoftuar Qeverinë e Kosovës dhe kanë ofruar që referendumi të mbahet në kushtet e njëjtat siç janë mbajtur zgjedhjet parlamentare të Serbisë në qershor të 2020.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë mori një kërkesë zyrtare nga Qeveria serbe më 20 dhjetor për të kryer një operacion për mbledhjen e votave për referendumin serb më 16 janar. Misioni ka njoftuar Qeverinë e Kosovës dhe ka ofruar që të kryhet një operacion i tillë në të njëjtat kushte siç është bërë për zgjedhjet parlamentare serbe të qershorit 2020. Këto kushte përfshijnë pëlqimin nga të dyja palët. Misioni do të monitorojë me kujdes situatën në terren”, thuhet nga Zyra për Komunikim e OSBE-së.
Por, këtë alternativë nuk janë duke e pranuar nga Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësja e ekzekutivit, Rozafa Kelmendi, ka thënë se votimi nëpërmjet postës e ai në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë janë opsionet e vetme të realizimit të kërkesës së bërë.
“Këto dy format e votimit e mundësojnë dhe respektojnë ushtrimin e së drejtës për votim në këtë proces për qytetarët që kanë dy shtetësi, por është shumë me rëndësi me pa dallimin mes zgjedhjeve në Serbi dhe një çështje plotësisht të brendshëm të një shteti tjetër, siç është çështja e këtij referendumi që ka të bëjë me organizimin shtetëror të brendshëm të Serbisë”, tha Kelmendi.
E Eugen Cakolli, njohës i proceseve zgjedhore, thotë se çfarëdo forme tjetër përveç votimit me postë e atë në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë, e pranuar nga ekzekutivi, do të ishte shkelje.
Cakolli thotë se Qeveria ka përpara dy opsione, në rast se ato të ofruarat nuk pranohen e tentohet të mbahet referendumi.
“Nëse Qeveria vijon me qëndrimin se nuk do të lejohet, atëherë ka vetëm dy opsione, opsioni i parë është që duke ditur që votimi zhvillohet në shkolla, të mos lejohet që kjo të bëhet në qendrat e votimit në veri të vendit, ndërsa opsioni i dytë është për të shkuar në masa ekstreme, pra që të mos lejohet atë ditë fare që të ketë kuti të votimit, sidomos duke ditur që duhet të ketë me flamuj dhe simbole të shtetit që organizon zgjedhjet, andaj të njëjtat të mos lejohen dhe të ndërpriten si të tilla”, tha Cakolli.
Referendumi për ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese në Serbi do të mbahet më 16 janar.