Bashkimi Evropian i kërkon Kosovës dhe Serbisë të përfshihen në negociata dhe të gjejnë një konsensus të nevojshëm për votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë, me 3 prill.
Një gjë të tillë nuk kanë pranuar ta komentojnë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa opozita kërkon vendosmëri nga kryeministrit Kurti për mos mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë për KosovaPress se BE-ja është e gatshme të lehtësojë dhe të ofrojë ide në përputhje me praktikat e evropiane, për votimin e qytetarëve serbë të Kosovës në zgjedhjet e 3 prillit.
Megjithatë ai thotë se u takon dy palëve për të gjetur një marrëveshje dhe një të tillë sipas tij, u është thënë edhe nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi.
“U takon të dyja palëve (Kosovë/Serbi) të përfshihen në negociata, dhe të gjejnë një konsensus të nevojshëm. BE-ja është e gatshme të lehtësojë dhe të ofrojë ide në përputhje me praktikat evropiane, por në fund të fundit përgjegjësia për të gjetur një marrëveshje u takon të dyja palëve. Përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, ua bëri këtë gjë shumë qartë homologëve të tij gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë”, ka thënë Stano në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Përkrahje të serishme Qeverisë së Kosovës për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në vend i jep Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti opozitar, Pal Lekaj ka thënë se do të këmbëngulin që zgjedhjet e Serbisë mos të mbahen në Kosovë më 3 prill.
“Sa i përket vendimit për mos mbajtje të referendumit ne e kemi mbështet Qeverinë dhe nëse vjen vendimi për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve (të Serbisë) në Kosovë do të hasë në mbështetjen tonë si Aleancë dhe opozitë. Ne do të këmbëngulim që mos të mbahen ato zgjedhje në Kosovë”, ka thënë Lekaj.
Edhe
BE-ja fton të mos përsëriten ndërhyrjet nga jashtë në zgjedhjet lokale në Kosovë
Nga ana tjetër, drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj ka thënë për KosovaPress se aleatët ndërkombëtar do të bëjnë presion për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
“Do të ketë presion për me u leju mbajtja e zgjedhjes, por mbetet të shihet tek Qeveria a ka me pas mundësi dhe a ka me pas qëndrueshmëri që zgjedhjet mos të mbahen ashtu siç ishte çështja e referendumit. Nëse mbahen zgjedhjet presidenciale në Serbi qysh janë mbajtur të kaluarën atëherë mund të themi se nuk ka ndryshuar asgjë në qasjen ndaj Serbisë derisa prapë lejojmë në mënyrën siç janë mbajtur më herët”, ka thënë ai.
Institucionet e Kosovës me 16 janar të këtij viti refuzuan mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës. Madje për këtë deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan një rezolutë./KP
-
BE: Moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk përputhet me frymën e dialogut
-
Qeveria s`lejon zgjedhjet serbe në Kosovë, OSBE-ja përkrah format e mëparshme të procesit
-
BE-ja kërkon zgjedhje pa parakushte dhe gjithëpërfshirëse
-
BE-ja i kërkon Kosovës që të shpallë zgjedhjet në veri “sa më shpejt”