Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zgjedhjet e Serbisë edhe sivjet pritet të mbahen në Kosovë, zyra e Hotit s’ka koment

Zgjedhjet e përgjithshme në Serbi që do të mbahen më 21 qershor, edhe këtë herë pritet të organizohen në Kosovë.

Bazuar në praktikat e kaluara, zgjedhjet e Serbisë janë organizuar në komunat me shumicë serbe, derisa janë mbikëqyrur nga misioni i OSBE-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo organizatë, në një përgjigje për KOHËN, ka konfirmuar se janë në kontakt me autoritetet në Kosovë dhe Serbi, por ende nuk kanë vendosur se si do të bëhet organizimi i këtyre zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe.

Në zgjedhjet e kaluara, institucionet e Kosovës patën insistuar se OSBE vetëm lehtëson këto zgjedhje e hap ato që u quajtën ‘qendra grumbullimi’, ani pse ato kanë qenë të njëjta me qendra normale votimi.

“Sa i përket mundësisë për një operacion të Misionit të OSBE-së për mbledhje votash në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë të 21 qershorit, ne jemi në komunikim me autoritetet e Kosovës dhe do t'i japim rezultatet e këtij komunikimi sapo t'i kemi”, ka thënë Senad Saboviq, zëdhënës i OSBE-së në Kosovë.

Por, Zyra e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, shkurt ka thënë për televizionin se “nuk duan njëherë të dalin me qëndrim për këtë çështje”.

Të martën, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u takua me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu. Siç njoftoi kryeministria, ambasadori ka theksuar gatishmërinë e OSBE-së për bashkëpunim, porse nuk u dha ndonjë detaj sa u përket zgjedhjeve të Serbisë.

E ish-kryeministri, Albin Kurti, mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë e pati cilësuar antikushtetuese.

Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, KOHA ka pyetur edhe Qeverinë e Serbisë dhe Komisionin Zgjedhor të këtij vendi, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Që nga fundi i luftës në Kosovë, votimet për zgjedhjet e Serbisë mbahen me ndihmën e OSBE-së. Misioni i OSBE-së ka organizuar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë, e prej vitit 2012 edhe ato lokale.

Dyshtetësia serbëve ua lejon votimin edhe për shtetin e të cilit e kanë pasaportën, por kjo në raste të tjera zakonisht bëhet përmes postës ose me votim në ambasadën e shtetit përkatës, e jo në qendra votimi.